Më shumë sesa një precedent kushtetues refuzimi i Sandër Lleshit për postin e ministrit të Brendshëm duket se do të riciklojë një konflikt të fortë mes institucionit të presidentit dhe të kryeministrit. Sinjali i parë për këtë është lëvizja e radhës e kryeministrit duke shpërfilluar argumentat e Metës dhe duke tentuar ta çojë me çdo kusht Sandër LLeshin në Ministrinë e brendshme si zv/ ministër.

Nga momenti kur u votua në krye të shtetit, Ilir Meta i mban peng kryeministrit dy emra për dy poste të rëndësishme.

Ende nuk ka dekretuar Helidon Bendon, i propozuar nga kryeministri për kryetar të Shërbimit Informativ Shtetëror, edhe pse prej një viti  dokumenti qëndron në sirtar.

Të njëjtin fat duket se ka edhe kandidatura e ministrit të Brendshëm.

Meta gjithashtu i ka refuzuar qeverisë disa ligje, mes tyre më i debatuari është ai për ndërtimin e teatrit të ri që mori dy herë firmën refuzuese të Presidentit.

Por duket se momenti i kundërpërgjigjes së kryeministrit nuk është i largët.

Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj  i përfundon në fund të dhjetorit mandati 7 vjeçar dhe kjo do të jetë prova e parë e sjelljes së tij.

Referuar Kushtetutës kandidatët propozohen nga presidenti dhe është parlamenti që i miraton. Lista e kandidatëve tashmë është bërë publike e në të bien në sy emra që sot janë pjesë e stafit të presidentit. Koha do të tregojë vendimet e kryeministrit nëse do të ndjekë rrugën e konsensusit dhe të përpjekjes për zgjidhje apo do të përdorë shumicën në kuvend për të rrëzuar çdo propozim të kreut të shtetit.

/Ora News.tv/