Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka reaguar lidhur me padinë e presidentit Ilir Meta ndaj tij.

Në një deklaratë për mediat, Dvorani jo pa ironi, thotë se "në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje".

Së paku, vijon deklarata e Dvoranit, "vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo".

Kreu i KED thotë se si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.

Dvorani: Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës.

LEXO EDHE: Meta, padi me dy akuza ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani: Prokuroria të hetojë këtë akt mafioz

Dvorani thekson se respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi.

Presidenti Ilir Meta në një konferencë të jashtëzakonshme njoftoi se do të depozitojë të hënën kallzim penal ndaj kreut të KED për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore.

Ai kërkoi nga prokuroria që të tregojë integritet për rivendosjen e besimit të opinionit publik te reforma në drejtësi.

Ilir Meta: Të hetojë të gjithë personat e përfshirë në këtë akt mafioz. Gjithçka është e mirëdokumentuar.

/Ora News.tv/