"Duam punë, duam bukë", transporti publik kërcënon me grevë, policia shpërndan protestën

Edhe këtë të mërkurë, 17 qershor, shoqatat e transportit publik protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Financave, ku kërkuan ndihmë financiare. Policia i shpërndau pas 1 orë protestë, ndërsa burimet bëjnë me dije se 4 prej tyre janë shoqëruar.

Tirane- Shoqatat e Transportit Publik Urban dhe Ndërurban protestuan sërish para Ministrisë së Infrastrukturës, ku kërkuan ndihmë financiare nga qeveria. Thirrjet e tyre ishin: "Duam punë, duam bukë."

"Transporti publik është rrezik por më rrezik se fasonët dhe call-centerat nuk është. Ato nuk janë mbyllur fare dhe kanë qenë burim infeksioni. Ka shumë punëtorë që duan të shkojnë në punë, u janë bërë këmbët copë. Janë mbi 10 mijë punëtorë të transportit urban dhe interurban që kanë mbetur pa punë, me 400 mijë lekë nuk bëjnë dot asgjë. Duke u shtyrë më shumë nuk mbajmë dot familjet me bukë" tha një përfaqësues i tyre.

Të shumtë në numër, protestuesit u ndalën dhe para Ministrisë së Financave, pavarsisht thirrjeve të policisë për tu shpërndarë.

"Të pranohet akciza e naftës për transportin, të subvencionohet ai 30%, të bëhet një paketë e dytë 400 mijë lekësh për transportin, është muaji i katërt si do të jetojmë ne? Ata nuk po japin zgjidhje e shtyjnë me javë. Në çdo vend të botës transporti publik është hapur. Nëse qeveria do të zbatohet protokolli, qeveria duhet të mbështesë me ndihmë financiare.Të hapet puna."

Ndërkohë Policia u beri thirrje të shpërndahen "Grumbullimi juaj është i paligjshëm për shkak të pandemisë, përbën vepër penale. Ju lutem shpërndahuni. Policia e shtetit do të zbatojë ligjin".

"Nuk po ngacmojmë njeri, po kërkojmë të drejtat tona" tha një zonjë.

Për 1 orë, ata shprehën pakënaqësi për situatën e krijuar, duke theksuar se transporti nuk do të nisë, nëse kërkesat nuk plotësohen.

"Do të dalim përditë në protestë derisa të plotësohen kërkesat tona. Do të bëjmë dhe grevë për të drejtat tona, jo partitë".

Policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit, ku nuk munguan dhe debatet.

Ndërkaq burimet bëjnë më dije se 4 protestues janë shoqëruar, ndërsa mbi ta rëndon akuza e organizim i tubimeve të paligjshme dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme.



EMISIONET