Dritan Dajti dhe Xhevdet Troplini janë të dënuarit e radhës të cilëve policia e shtetit u dërgoi formularin për burimin e pasurive. Ndërkohë në prokurorinë speciale SPAK ka shkuar në 13 numri i dosjeve të përcjella nga policia që prej ditës së parë të aksionit Anti-KÇK. Prokurorët po analizojnë materialet pa përjashtuar mundësinë disa prej tyre të kthehen për plotësim në polici, ndërkohë që në gjykatë nuk ka mbërritur ende ndonjë kërkesë për sekuestro.

 Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK), po shqyrton 13 dosje të përcjella nga policia e shtetit në kuadër të operacionit Anti-KÇK. 

Materialet e përcjella nga policia u janë shpërndarë prokurorëve të strukturës, të cilët po bëjnë verifikimet e nevojshme ndërsa nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e tyre t'i rikthehen Policisë për plotësime të mëtejshme.

Nga ana tjetër në gjykatë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga SPAK për sekuestrim pronash.

SPAK ka edhe 6 ditë kohë për dorëzimin e kërkesës së parë, të ditës së parë të fillimit të punës së OFL.

Ndërkohë policia e shtetit deklaroi se i ka dërguar formularin për deklarimin e burimit të pasurive Dritan Dajtit, i cili është akuzuar për vrasjen e katër efektivave të policisë në vitin 2009 në Durrës dhe disa akuza të tjera.

Po kështu, formulari për deklarimin e pasurisë i është dërguar edhe Xhevdet Troplinit, me banim në Durrës, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Troplini është akuzuar nga drejtësia italiane për trafik droge në vitin 2006.

"OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve: - D. D., me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale: "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Mbajtja pa leje e armëve luftarake", "Falsifikimi i dokumenteve", "Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve" dhe "Mbajtja pa të drejtë e uniformës";- Xh. T, me banim në Durrës, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike" deklaroi zëdhënësja e OFL-së.

Sipas policisë, dy të dënuarit si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. 



/Ora News.tv/