Drejt përfundimit “Sabaudin Gabrani 1", Veliaj: E nisim vitin shkollor me disa shkolla të reja

Shkolla "Sabaudin Gabrani 1" do të hapë dyert më 16 shtator pasi punimet janë drejt fundit. Nxënësit do të mirëpriten në ambiente të reja, me kushte shumë më të mira. Bashkia e Tiranës rikonstruktoi shkollën pas gati 20 vitesh, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe bashkëkohor për 1100 nxënësit që ndjekin mësimet në këtë shkollë.

Ndërsa inspektoi punimet e kryera, kryebashkiaku Erion Veliaj dha lajmin e mirë për gjithë prindërit e kësaj lagje se fëmijët e tyre do ta nisin vitin e ri shkollor 2019-2020 pranë shkollës së tyre dhe me kushte komode.

Erion Veliaj: Jam sot shumë entuziast që një pjesë e madhe e kolegëve kanë kaluar gjithë gushtin duke i qëndruar punës te koka, që në 16 shtator, jo vetëm kjo shkollë, por disa shkolla në Tiranë të jenë totalisht si të reja. Është një shkollë që i ka dhuruar shumë Tiranës, shumë nxënës, shumë talente, shumë energji pozitive për gjithë komunitetin e Njësisë 7 në rrugën kryesore, në Unazë të Tiranës. Them që e meritonte shkolla një trajtim të tillë. Dhe besoj që duke hequr nga lista një tjetër shkollë që është rikonstruktuar totalisht, na jep mundësi pastaj që të vijojmë të shkojmë në periferi.

 Ai u bëri apel prindërve të gjithë Tiranës që fëmijët e tyre ti regjistrojnë pranë shkollës më të afërt, pasi kështu i kursejnë kohë vetes së tyre dhe fëmijëve si dhe nuk krijojnë trafik çdo mëngjes dhe pasdite në Tiranë.

Erion Veliaj: Ftesa për prindërit është që ti çojnë fëmijët te lagjet e tyre. Nuk ka asnjë arsye pse t’i torturojmë fëmijët në trafik. Një orë për ta çuar në një shkollë jashtë lagjes dhe një orë për t’u kthyer janë dy orë në ditë, herë 300 ditë, janë 600 orë. Për kaq orë mund të bëhesh një basketbollist shumë i mirë, një programues kompjuterësh, ose mund të flasësh frëngjisht perfekt. Kështu që këto orë, sa t’i kalojmë në trafik, të shkojmë te shkolla më e afërt. Drejtoria Arsimore po sigurohet që të parët e portalit të shkojnë në vendin e parë vakant, dhe ky vend vakant, se është në shkollë, se është në Lanabregas, se është në Vaqarr, se është në Kashar nuk ka pikë rëndësie lidhja gjeografike. Pra më të mirët dhe mësueset më të mira po shkojnë në këto vende vakante.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, kryebashkiaku bëri të ditur se për të lehtësuar lëvizjen e nxënësve dhe për të shmangur problematikat në qarkullim, do të bëhet ndalohet  lëvizja e automjeteve që merren me furnizimin e dyqaneve gjatë orarit 07:00 deri në 09:00.

EMISIONET