Kryeministri Edi Rama e ka tërhequr zyrtarisht padinë për shpifje që e kishte bërë ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt.

Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama i cili qëndroi për vizitë dy ditore në Kosovë nuk arriti që krahas takimeve me liderët e vendit, të takohet edhe me ish-kryeministrin e Kosovës, me të cilin i ka marrëdhëniet e acaruara.

Megjithatë, kryeministri Rama tha dje (30 qershor) para mediave se do të tërheqë padinë për shpifje që kishte bërë për Haradinajn.

“E kam njoftuar që s’do të bëj komunikim me mediat në çdo derë. I kam treguar se do ta tërheq padinë. Jo se ajo është e vogël për mua, por është me e madhe ajo që do të na bashkojë të gjithëve. Nuk e di çfarë roli do të ketë heqja e padisë. Për më tepër me padi pa padi, Ramushi për mua nuk është kryeministri, politikani, është një prej figurave historike. Kështu që padia do të tërhiqet zyrtarisht”, tha kryeministri.

Gazeta Express ka siguruar aktvendimin ku konstatohet se Rama e ka tërhequr padinë për shpifje ndaj kreut të AAK’së.

Madje, Rama e ka nënshkruar personalisht tërheqjen e padisë ndaj Haradinajt.

Kryeministri Rama e kishte paditur në janar të këtij viti  ish-kryeministrin, atëherë në detyrë, Ramush Haradinaj, për shpifje.

Kjo pas disa deklaratave që Haradinaj kishte dhënë për Ramën dhe për idenë e shkëmbimit me territore.

/Ora News.tv/