Presidenti i Republikës Ilir Meta, i ftuar në një intervistë për gazetarin Ilir Babaramo, duke folur për atë që ai e quan “puç kushtetutes”, ngriti akuza edhe për implikimin e ndërkombëtarëve. Kreu i shtetit tha së pari se ambasadorët dolën jashtë statusit të tyre diplomatik në Shqipëri.

Ndërkombëtarët të implikuar në “puçin Kushtetues”

Ilir Meta: Sepse ata dolën jashtë statusit të tyre diplomatik në Republikën e Shqipërisë. Mendo sikur ambasadorja e Shqipërisë në Romë të vinte në diskutim dekretin e Presidentit të Italisë! Do ta kishin paketuar, ambalazhuar, siç paketohen ato plaçkat që sillen me DHL, dhe për 24 orë e kishe në Rinas. Megjithatë, ata e bënë këtë gjë, edhe pse unë, u thashë që kjo nuk është kërkesë për Venecian se, është qesharake. Mund të ndodhë që Presidenti dhe shumica në Parlament të jenë të një linje politike dhe t’i plotësojnë të 6 vendet me njëherë dhe bëjnë kuorumin, rimarrin çdo gjë, mbarojnë punë. 

Në Gjykatën Kushtetuese nuk ke as mendim oponent, përbën një rrezik kapja politike e Gjykatës Kushtetuese. Kjo ka qenë dhe është shumë e qartë, kjo është dhe arsyeja pse ata nuk e pritën Venecian. Ata, e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm ai, ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë. Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë. Më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit.

I pyetur nëse qytetarët në 2 mars do të kërkojnë të “shpërndani parlamentin”, Presidenti Ilir Meta nuk dha nj përgjigje të drejtpërdrejt. Megjithatë, ai u shpreh se Presidenti i Republikës do të jetë në sintoni të plotë me qytetarët, duke “bërë detyrën për rivendosjen e rendit kushtetues”.

A do ta shpërndajë Presidenti parlamentin nëse e kërkojnë qytetarët?

Ilir Meta:Unë jam i sigurt që do të jemi në një sintoni të plotë me qytetarët. E rëndësishme është nëse ata pranojnë apo nuk pranojnë më, që një grup puçistësh të rrëmbejnë çdo të drejtë të tyre kushtetuese dhe njerëzore, të lirisë së tyre, të llogaridhënies në këtë vend para tyre, që paguajnë taksat edhe që paguajnë borxhet që po shkon në stratosferë.

Dhe absolutisht të jenë të sigurt se Presidenti i Republikës do të bëjë detyrën e tij në mënyrën më shembullore për rivendosjen e rendit kushtetues dhe do t'i kërkojë të gjithëve të bëjnë detyrën e tyre, të gjithë aktorëve të tjerë. Këtu nuk mund t’i shmangemi dot kësaj historie. Jemi në një përballje finale me puçistët, nuk ka temë tjetër më të rëndësishme në Shqipëri deri në momentin që do të zgjidhim këtë çështje.

Gjatë intervistës së tij, Presidenti Ilir Meta ngriti akuza edhe për shpopullimin e Shqipërisë. Sipas tij, një organizatë ndërkombëtare, emrin e të cilës nuk e përmendi, po kërkon shpopullimin e vendit.

Ilir Meta: Për ata të cilët kërkojnë të zhdukin demokracinë, llogaridhënien në këtë vend me qëllim që t’ia dorëzojmë sovranitetin e këtij vendi një organizate ndërkombëtare e cila ka synuar dhe synon shpopullimin e Shqipërisë përmes kësaj bande për fat të keq, nuk do të ketë asnjë tolerancë.

/Ora News.tv/