Kreu i PD, Lulzim Basha tha se Shqipëria ka nevojë për prokurorë dhe gjyqtarë që dënojnë kriminelët dhe jo ti mbrojnë ata. Sipas Bashës reformën në drejtësi e ka kapur Rilinjda.

Gazetari: Kryeministri Rama gjatë ditës së sotme ka mbledhur dhe krerë të institucioneve të sigurisë kombëtare duke deklaruar se po destabilizohet vendi apo ka tentativë, mes të cilëve ishte dhe kryeprokurorja e përgjitshme, zonja Arta Marku, të cilën ju deklaruat se Rama është ngutur për ta emëruar apo komanduar për qëllimet e veta. Ndërkohë do kryhet dhe përzgjedhja nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorin e ri dhe më pas do votohet nga parlamenti. Ju do e pranoni kryeprokurorin e ri, i cili do votohet nga Parlamenti?

Basha: Edhe një herë ju ftoj të mos e trajtoni këtë si një situatë ku një copë e trajton normale, një copë jonormale. Jo, Shqipëria është në anormalitet, është në krizë të thellë. Cdo përpjekje për ti veshur kësaj krize këmisha të grisura procesesh false, vetëm sa e fillon krizën. Shqipëria ka nevojë për një drejtësi të pavarur. Ka nevojë për prokurorë dhe gjyqtarë që nuk i mbrojnë, por i ndëshkojnë politikanët e lidhur me krimin. Arsyeja e vetme pse Arta Marku është emëruar në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese aty është pikërisht që kjo të mos ndodhë dhe nuk ka ndodhur. Arsyeja e vetme që është kapur KLP, KLGJ, KED, pse procesi i vettingut caktohet në copa letrash nga Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Ermonela Felaj, Ulsi Manja, një fakt që e pranojnë me gojë hapur dhe komisionerët e vettingut. E dinë dhe ata që bëjnë sikur se dinë. Është që të mos hetohen Edi Rama, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, mos të vihen para përgjegjësisë për bashkëpunimin e tyre të hapur me krimin për të vjedhur vota dhe për aferat e tyre të tmerrshme korruptive në këto 29 vite. Ne jemi të vendosur për një reformë në drejtësi që e çliron drejtësinë nga korrupsionit dhe që na sjell gjyqtarë dhe prokurorë që ti dënojnë dhe jo mbrojnë kriminelët e lidhur me krimin dhe të japin drejtësi për qytetarët. Që kjo të ndodhë reforma në drejtësi duhet të dalë jashtë influencës malinjë të Rilindjes që sot ka kapur reformën në drejtësi.

/Ora News.tv/