Dy anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi për Gjykatë Kushtetuese dhe Arta Vorpsi, emri i të cilës është botuar në Fletore Zyrtare janë në pritje të betimit. Ilir Meta ka sqaruar për gazetarët nëse Presidenti do të zhvillojë ceremoninë e betimit për ta.

Meta gjithashtu tregoi edhe se çfarë do të ndodhë nëse kandidatura e Marsida Xhaferllarit, dekretuar sot prej tij, nuk do të botohet në Fletoren Zyrtare.

Pyetje: A do zhvillojë Presidenti i Republikës ceremoninë e betimit si për dy anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi por edhe për Arta Vorpsin e cila është publikuar në Fletoren Zyrtare si anëtare e re e Gjykatës Kushtetuese së pari?

Meta: Institucioni i Kuvendit është i mirëpritur të komunikojë zyrtarisht me Presidentin, sikurse institucioni i Presidentit ka komunikuar me institucionin e Kuvendit kur ka bërë përzgjedhjen e tij për vakancën e zotit Besnik Muçi dhe jemi të hapur për të bashkëpunuar në respekt të Kushtetutës dhe detyrimeve kushtetuese. Kjo është një çështje e mbyllur dhe shumë e qartë.

Pyetje: Për të shkuar deri në karrigen e Gjykatës Kushtetuese, emri i Xhaferllarit duhet të publikohet në Fletoren Zyrtare. Nëse nuk bëhet…

Meta: Duhet të dini se çfarë publikohet në Fletoren Zyrtare dhe këto janë shumë të qarta në ligj. Së dyti çdo botim kontrabandë dhe jashtë ligjit dhe jashtë çdo vendimi të çdo institucioni që mund të marrë vendime të tilla padyshim që nuk sjell asnjë detyrim për presidentin. Presidenti është shumë i qartë. Ka Kushtetutë mbi çdo gjë tjetër në Republikën e Shqipërisë në mënyrë të veçantë për Presidentin që është betuar me dorë në Kushtetutë. Mbi këtë gjë nuk kam bërë dhe nuk bëj shaka. Kush mendon se mund të bëjë shaka, të bëjë dhe të marrë përgjegjësitë e tij.


/Ora News.tv/