Dëshira për të mos rinovuar me Paris Saint Germain ka vënë në lëvizje Edinson Cavanin. Sulmuesi uruguajan po kalon sezonin e tij të fundit në "Parc des Princes" dhe fundi i këtij edicioni do të shikojë larg PSG-së.

E për këtë fakt, shumë skuadra kanë nisur kontaktet  e para me të. Juventus duket ajo më e interesuar, por së fundi në garë për të pritet të futet edhe Atletico Madrid. Nevojë për sulmues ka edhe klubi më i ri i kampionatit amerikan, MLS, Inter Miami.

Skuadra me presidenti legjendën e Manchester United dhe kombëtares angleze, David Beckham do të debutojë në sezonin e ri në MLS dhe përfshirja e 32 vjeçarit në organikë do të ishte më se e nevojshme.

Sidoqoftë, "Tuttosport" shkruan se tashmë, përfaqësues të sulmuesit kanë nisur tratativat me Juventusin, të cilët janë pyetur rreth mundësisë për të kaluar në Torino. Nëse do të ishin bardhezinjtë skuadra e tij e ardhshme, Cavani do të bënte një rikthim të bujshëm në Seria A, pas eksperiencës mjaft të suksesshme te Palermo e Napoli.

Që prej vitit 2013, kur u transferua te PSG, uruguajani ka luajtur 283 takime me gjigantin francez, duke shënuar 195 gola, askush më shumë se ai me fanellën e parisienëve.

/Ora News.tv/