Presidenti Meta ende nuk ka vendim për Sandër Lleshin

Presidenti Meta ende nuk ka vendim për Sandër Lleshin

Skandon sot në mesnatë afati i Presidentit Ilir Meta për të dekretuar ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, i propozuar nga kryeministri Rama pas dorëheqjes së Fatmir Xhafës.

Por ndërkohë që për Xhafajn, Meta firmosi menjëherë dekretin për largimin e tij nuk ndodhi e njëjta gjë me dekretin tjetër.   

Kushtetuta përcakton afatin 7 ditor dhe ky afat mendohej se skandonte më 2 nëntor por juristët e kontaktuar nga Ora News, shpjegojnë se koha nis një ditë pasi merr në dorë propozimin presidenti.    

Duke pasur parasysh që e shtuna dhe e diela konsiderohen si ditë pushimi dita e hënë konsiderohet sërish një datë brenda afatit për kreun e shtetit.

Deri sot (3 nentor) ora 15:50 nuk ka ardhur ende dekretimi ndërsa mbrëmë kreu i shtetit la të kuptohet se edhe mund të mos ketë një dekret për Sandër Lleshin, duke marrë rastin e pak  muajve më parë në Itali.

Mëngjesin e 27 tetor 2018, kryeministri postoi në Twitter lajmin e dorëheqjes së Fatmir Xhafajt dhe dokumentin e propozimit të Sandër Lleshit në postin e Ministrit të Brendshëm.


Pjesë nga intervista dhënë mbrëmë për gazetarin Çim Peka. 

Gazetari: Në orën 24:00, fiks pas 4 orësh, të paktën sipas medieve, por edhe sipas disa juristëve, përfundon afati kushtetues që ka Presidenti i Republikës për të dekretuar propozimin e Kryeministrit Rama si ministër të Brendshëm, zotin Sandër Lleshin. A ka marrë një vendim Presidenti i Republikës për këtë? Do ta dekretoni, apo jo? 

Presidenti Meta: Sikurse edhe ju e thatë, unë sot jam kthyer nga Firence, ku kam pasur kënaqësinë të jem pjesëmarrës në aktivitete të shumta që u zhvilluan atje për nder të 90-vjetorit të Kardinalit tonë, Dom Ernest Troshani. Dhe natyrisht, që unë do të gjej mënyrën e duhur për t’u shprehur në kohën e duhur.

Gazetari: Do të gjeni mënyrën e duhur...

Presidenti Meta: Ju po numëroni sekondat?

Gazetari: Jo. Por ju do të gjeni kohën e duhur, por koha e duhur e Presidentit është edhe fiks 4 orë... Nuk besoj se Presidenti i Republikës pret informacione shtesë, a keni një vendim?

Presidenti Meta: Presidenti ka për detyrë të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë e tij kushtetuese për të krijuar bindje të plotë për çdo propozim që i bëhet për dekretim. Presidenti nuk mund të hedhë firmën për dekrete formale, sepse do të ishte papërgjegjshmëri. Aq më tepër për një detyrë të tillë, e cila në momentin aktual kërkon akoma edhe më shumë përgjegjësi dhe vëmendje.

Gazetari: Do të ishte një papërgjegjshmëri nga ana e Presidentit për të hedhur thjesht një firmë për një funksion të tillë në një moment delikat – u shprehët pak a shumë zoti President. Megjithatë, janë edhe 4 orë. Po ngul këmbë këtu! Deri në këtë moment nuk keni pasur kohë të krijoni një përshtypje nëse ky kandidat i propozuar nga Edi Rama për ministër të Brendshëm i plotëson këto kritere apo jo?

Presidenti Meta: Më duket se ua kam thënë të qartë që kam bërë punën time institucionale. Kam bërë përpjekjet e mia, dhe kam qenë mjaft bashkëpunues me të gjithë institucionet dhe personat që duhet të jenë të interesuar njëkohësisht për këtë çështje, ndaj edhe unë di t’i marr përgjegjësitë e mia me përgjegjshmëri të plotë , i pa ndikuar nga askush, as nga orët tuaja, as nga sekondat tuaja dhe askujt tjetër, pavarësisht nga respekti që kam për ju.

Gazetari: Por i ndikuar në bazë të Kushtetutës, zoti President?

Presidenti Meta: Më duket se Kushtetuta është shumë e qartë: Presidenti ka përgjegjësi për çdo firmë që hedh. Përndryshe, Presidenti nuk do ta kishte këtë mundësi dhe këtë instrument konfirmimi, verifikimi, kontrollimi, dhe garantimit të integritetit të çdo ministri.

Gazetari: Atëherë për të qenë dhe unë korrekt me kolegët, dhe për të mos u treguar egoist...

Presidenti Meta: I paduruar me orët dhe sekondat ...

Gazetari: I paduruar jo, por këmbëngulës, për të qenë dhe unë korrekt dhe për të mos u treguar egoist me kolegët, sepse të pretendoj se do ta deklaroni në një studio televizive nëse do ta dekretoni apo jo, është ndoshta një kërkesë pak e tepërt, sepse Presidenti mund ta deklarojë në konferencë shtypi, apo njoftim shtypi, apo ndonjë zgjidhje tjetër. Por gjithsesi, deri në këtë moment ka një firmë për të apo jo?

Presidenti Meta: Sigurisht që në qoftë se do të kishte firmë, unë atë nuk do ta lija për ta shpallur në studion tuaj, pasi ajo do të ishte bërë publike.

Gazetari: Pra, deri në këtë moment nuk ka një vendim për Sandër Lleshin. Megjithatë, zoti President ka një debat të orëve të fundit ku thuhet se Presidenti i Republikës, analistë afër Kryeministrit, juristë afër Kryeministrit, paraardhësi juaj, të cilët thonë se Presidenti i Republikës nuk ka kompetencë për të mos dekretuar një propozim për ministër të Kryeministrit. Madje këmbëngulin se tashmë ka një precedent, dhe precedenti nuk mund të prishet: Bujar Nishani pasi na la të dyshonim se nuk do ta dekretonte zotin Xhafaj, u shpreh se nuk do ta dekretoja, por nuk ma lejon ligji, nuk kam kompetenca. A ka kompetencë Presidenti për të mos dekretuar një propozim për ministër të Kryeministrit?

Presidenti Meta: Pa dashur të hyj në diskutime dhe debate me ju, sepse ju doni që unë të shndërrohem në gazetar, apo ndonjë...

Gazetari: Ju kam ftuar si President!

Presidenti Meta: Po. Ndaj dua të them që çdo President ka për detyrë që me veprimet e tij, apo me mos veprimet e tij, të marrë përgjegjësinë e duhur publike dhe të tregojë përgjegjshmëri maksimale. Kështu që në këtë drejtim, askush të mos ketë dyshime që unë, përgjegjësitë e mia, sidomos, në këtë situatë do ti ushtroj në mënyrë mjaft maksimale dhe mjaft kurajoze.

Gazetari: Mjaft kurajoze?!

Presidenti Meta: Sepse Shqipëria po kalon një periudhë në luftë me krimin e organizuar. dhe kjo është prej vitesh, dhe kjo po e mban Shqipërinë ende larg edhe çeljes së negociatave. Sepse të gjitha prioritetet lidhen me këtë çështje. Dhe Presidenti është edhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që është një institucion kushtetues, për të gjithë ata që mendojnë se Presidenti duhet thjesht të konfirmojë në mënyrë formale propozimet që mund t’i vinë. Dhe për të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare duhet të jetë mjaft i vëmendshëm, në mënyrë që ata që zgjidhen të jenë lartësinë që kërkon ky institucion.

Gazetari: Zoti President sapo u shprehët se do të vepronit në mënyrë mjaft kurajoze! Dhe thatë...

Presidenti Meta: Kjo do të thotë që gjithmonë të vazhdoj në marrjen e përgjegjësive të plota, të cilat Presidenti i mbron dhe nuk përfshihet.

Gazetari: Të marrësh vendimet, dakord, por...

Presidenti Meta: Siç dhe ka ndodhur në të kaluarën edhe mund të ndodhi edhe në të ardhmen...

Gazetari: Dakord. Por kjo është një deklaratë mjaft e fortë, sepse dekretimi do të ishte një veprim normal, në të kundërt, mos dekretimi është një veprim kurajoz. A po paralajmëroni ju Ilir Meta mos dekretimin e zotit Lleshi?

Presidenti Meta: Unë nuk paragjykoj askënd. Unë ushtroj përgjegjësitë e mia me qetësi maksimale. Të gjithë ata, përfshirë edhe juve, të më falni, sepse edhe po më ngacmoni, pra të gjithë ata që mendojnë që mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme sipas interesit të tyre, apo të vlerësimit të tyre, sepse ka edhe nga ata që mund të bëjnë përjashtime, të pavarura, duhet të jenë të qetë sepse nuk ndikohem nga asgjë. Përveçse nga bindja ime për t’i shërbyer asaj detyre që ka Presidenti për të qenë vërtet një institucion tepër i përgjegjshëm, sidomos kur bëhet fjalë për një çështje të tillë.

Gazetari: Për çështje të tilla jemi mësuar të kemi kandidatë deputetë apo ministra politikë, të cilët, për të qenë korrekt, kanë dështuar të paktën në luftën kundër drogës. Është hera e parë që kemi një kandidat teknik. A do të ndikojë ky fakt në vendimin e Presidentit?

Presidenti Meta: Jo. Nuk ka asnjë arsye që kjo të ndikojë, por ajo që dua të theksoj është se pavarësisht nga background-i i cilitdo kandidat: Pra nëse është politikan i njohur, apo politikan i ri, se është një ekspert i caktuar, përfaqësues i shoqërisë civile, siç kemi pasur në të kaluarën plot raste të tilla të përfshirjes së tyre. Është tepër e rëndësishme të kuptojmë që lufta kundër drogës dhe kundër krimit të organizuar nuk është një luftë teknike, por është një luftë politike. Që të jem edhe më konkret: Po të ishte teknike, Habilajt duhet ti kishte arrestuar ky komisari...

Gazetari: Zagani?

Presidenti Meta: Po, Zagani, në Fier apo Vlorë ku ishte ai, dhe nuk duhej ta kishin shkarkuar ata Zaganin, që ishte një kuadër i Policisë dhe shumë i trajnuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe ta detyronin që të shkonte në azil në Zvicër dhe ata më pas të arrestoheshin nga anti-mafia në Itali. Por, sepse ishte politike ndodhi kjo gjë. Po të ishte teknike, do të ishte diçka ndryshe. Kështu që kjo kërkon një vullnet shumë të fortë politik, dhe kjo jo vetëm në përgjegjësinë vetëm të një ministri, apo kushdo qoftë ai. Por kjo është përgjegjësi e gjithë Qeverisë, e gjithë Parlamentit, e Presidentit, dhe të gjithë institucioneve për të treguar një vullnet të fortë për të çrrënjosur krimin e organizuar, i cili ka dhe një rritje të ndikimit edhe në jetën politike, për fat të keq. Dhe njëkohësisht, nga forcat e policisë në radhë të parë, dhe të sigurisë. Ministri i cili dha dorëheqjen, zoti Xhafaj, mendoj se tregoi një vullnet për të ecur në këtë drejtim, pavarësisht nga vështirësitë dhe rrethanat e komplikuara. Por, në çdo rast kjo nuk është një betejë e asnjë individi, kjo është një betejë e të gjithëve dhe, absolutisht, që përgjegjësitë e ministrit janë shumë të rëndësishme dhe integriteti i tij është shumë i rëndësishëm për të mos iu bindur askujt që nga Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, dhe kujtdo tjetër që do të përpiqet që të ndikonte politikisht mbi Policinë e Shtetit.

Gazetari: A e njihni personalisht kandidatin e propozuar nga z. Rama për ministër të Brendshëm?

Presidenti Meta: Nuk kam ndonjë njohe të veçantë. E njoh si emër, si funksionar u caktuar që ka qenë në Forcat e Armatosura, apo në Kabinetin e Kryeministrit, por nuk kam asnjë paragjykim për të.

Gazetari: Mund të ndikoj te ju fakti që ai ka qenë kandidat për president? Është investuar shumë z. Kadare për të, është investuar dhe vet z. Rama për të.

Presidenti Meta: Ka pasur nja një mijë kandidatë për president në atë periudhë dhe po të jetë se do të ndikohemi për të gjithë për këtë fakt, kjo pastaj do të ishte një...

Gazetari: Po fakti që z. Lleshi mund të mbetet kandidat për të njëjtin funksion a mund të paragjykojë...?

Presidenti Meta: Këtë gjë nuk e paragjykon askush dhe nuk mendoj se mund të ndikojë te ndikojë te Presidenti Ilir Meta deri në minutat e fundit që ai do të jetë President me interpretime.

EMISIONET