Presidenti Ilir Meta gjatë një bashkëbisedimi me të moshuarit, bëri thirrje për më shumë vëmendje e përkujdesje me dashuri e dhembshuri për prindërit dhe gjyshërit. Presidenti vlerësoi përvojën e tyre si një aset i çmuar për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.

Në një kohë kur shoqëria shqiptarë ka marrë formë individualiste, presidenti Ilir Meta ka apeluar për më shumë përkujdesje për të moshuarit. Në një bashkëbisedim me ta kreu I shtetit solli shembullin e Shenjtores Nënë Tereza, që frymëzoi miliona njerëz me dashurinë për familjen.

 “Përkujdesja dhe vëmendja ndaj sfidave dhe problematikave me të cilat përballen të moshuarit është detyrim i të gjithë shoqërisë sonë”, nënvizon Meta.

Presidenti vlerësoi përvojën e prindërve dhe gjyshërve tanë si një aset i çmuar dhe kërkoi më shumë vëmendje  nga institucionet shtetërore.

“Shoqëria jonë, veçanërisht brezi i ri, jo vetëm duhet të mësojë nga eksperienca juaj, por duhet t’i investojë këto përvoja në edukimin e brezit të ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, përgjegjshmërisë e seriozitetit, por edhe me ruajtjen e forcimin e ndjenjës sonë kombëtare”, tha Meta.

1 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve. Kjo datë është përcaktuar më 14 dhjetor 1990 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si dita e respektit global për të moshuarit.

/Ora News.tv/