Në ditën e mjedisit bashkia e tiranës rendit disa nga iniciativat që e kanë bërë këtë qytet me miqësor sic është mbjellja e mbi 120 mijë pemëve, nisma për reduktimin e qeseve plastike dhe shtimi i korsive të biçikletave. Bashkia e Tiranës pretendon se ardhja e biçikletave të para Mobike do të sjellë një revolucion në mënyrën se si do të lëvizim në Tiranë, duke qenë se përdorimi sa më shumë i tyre do të ndikojë drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes.

Për të vazhduar me këto iniciativa disa të rinj, për të falenderuar qytetarët që kishin zgjedhur biçikletën si mjet lëvizës, i dhuruan atyre llamba LED miqësore me mjedisin e që kursejnë energji, si dhe nga një çantë beze për të zëvendësuar qeset plastike.

Nismës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj: Fakti që këtë sezon mbollëm mbi 100 mijë pemë, është diçka që meriton mirënjohjen tonë për 100 mijë qytetarët që dhuruan modestisht pemën e tyre. Për herë të parë kemi 3 flota taksish elektrike në Tiranë dhe fakti që shumë njerëz, edhe privatisht, po fillojnë t’i marrin makinat e tyre të reja elektrike, është diçka fantastike. Një nga arritjet më të mëdha ishte kur në Tiranë vendosëm pagesën për qeset plastike.

Veliaj vlerësoi vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike.

Veliaj: Qeveria e Edi Ramës, Ministria e Mjedisit morën vendimin për t’i ndaluar totalisht nga 1 Korriku. Vitin tjetër do jemi akoma më mirë se sivjet me ndalimin e qeseve plastike. Shumë vende, edhe më pak të zhvilluara se ne në Afrikë, kanë marrë vendime të tilla të guximshme. Kishte ardhur koha që Tirana dhe Shqipëria të jenë pararendëse kudo në Europë për t’i ndaluar përfundimisht qeset plastike.

Veliaj shprehu mirënjohje dhe falenderime pwr të gjithë qytetarët të cilët i janë bashkuar nismave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës.

/Ora News.tv/