Viti 2018 ishte një nga më të vështirët për Skënderbeun që pas dënimit famkeq nga UEFA, por as 2019 nuk ka nisur aspak mirë për korçarët.

Edhe pse mendohej se kjo mini-fazë do ta ndihmonte skuadrën bardheblu që të rimarrë forcat për tu rikthyer më të fuqishëm në pjesën e dytë të sezonit me prurje të reja, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Deri më tani kampionët në fuqi të Superiores kanë zyrtarizuar firmën e vetëm një lojtari, Elmir Asani. Ndërkohë që Orges Shehi projekton që të përforconte mesin e fushës, të gjithë planet e tij u rrëzuan si kështjellë rëre, pasi Skënderbeut i duhet të përballet me 4 mungesa të rëndësishme.

Bregu, Demte, Lulaj dhe Krasniqi nuk do të jenë të gatshëm që në startin e pjesës së dytë të sezonit. Në këtë situatë alarmante, numri 1 i stolit të korçarëve ka vendosur të afroj një lojtar nga ekipi i moshave U-19 të Skënderbeut. Bëhet fjalë për Kosta Vangjeli, mbrojtësi i djathtë që ka bindur Shehin dhe mund të aktivizohet në dy miqësoret e radhët, të cilët do të shërbejnë si test për 18 vjeçarin.

Një dimër i acart ky për kampionët në fuqi të Superiores, të cilët duket se nuk kanë në favor as kalendarin, ku do e nis përballë Partizanit kryesues.

/Ora News.tv/