Pas eksperiencave dramatikisht të kundërta në ndeshjet e zhvilluar në mesjavë në kompeticionin UEFA Champions League, Inter e Juventus janë gati për duelin e cilësuar si "Derby d'Italia".

Një përballje speciale kjo, e cila vjen edhe në momentin e duhur për dy skuadrat, që ndajnë vendet 1 dhe 2 në tabelën e klasifikimit.

Por edhe pse ka edhe shumë orë nga ai takim, Inter-Juventus ka nisur të vendos rekordet e para. Sipas asaj që raporton "Gazzetta dello Sport", takimin që do të zhvillohet në "Stadio Meazza" do ta ndjekin plot 75 mijë tifozë nga shkallët e stadiumit si dhe miliona të tjerë nga ekrani.

Duke iu referuar këtyre burimeve, përballja pritet të gjenerojë më shumë se 6.5 milionë euro në arkat e zikaltërve, duke e kthyer "Derby d'Italia" në një nga duelet më fitimprurëse në botë.

Besohet se në shkallët e stadiumit do të jenë më shumë se 100 kombësi nga i gjithë globi dhe mbi 20% e biletave janë blerë tashmë nga jashtë kufinjve të Italisë. Për transmetimin e ndeshjes do të operojnë rreth 40 televizione, sinjali i të cilëve do të shtihet në më shumë se 200 shtete.

Takimi mes Interit dhe Juventusit do të luhet mbrëmjen e kësaj të diele duke nisur nga ora 20:45.  

/Ora News.tv/