Derbi suedez për yllin e Skënderbeut

Derbi suedez për yllin e Skënderbeut

Malmo interesohet për Alitin. Pista suedeze më e mundshme për mbrojtësin Fidan Aliti është çështja më e nxehtë në kampin korçar në këtë merkato dimri.

Skënderbeu kërkon të arkëtojë një shumë të majme nga Aliti, i cili pëlqehet shumë nga klubi suedez. Ndërkohë që skuadra ka nisur përgatitjet për fazën e dytë të sezonit, drejtuesit e Skënderbeut po punojnë për të bërë të mundur shitjen e mbrojtësit të kombëtares kosovare, dhe rrjedhimisht për të mbushur arkat, që duhet thënë se janë në gjendje kritike.

Për Alitin, që duhet thënë se është aktivizuar edhe në Ligën zviceriane të futbollit dhe kampionatin kroat, interesohen dy skuadra suedeze. Hammarby është klubi që ka shfaqur më shumë interes për 25 vjeçarin nga Presheva, që përveçse si mbrojtës qendre bën mirë edhe rolin e mbrojtësit të majtë. Por shuma që kërkon Skënderbeu për të lënë të lirë Alitin ka trembur drejtuesit e Hammarby, duke bërë që të heqin dorë nga gara për mbrojtësin e kombëtares së Kosovës.

Së fundmi në skenë ka dal edhe Malmo, klubi më i madh suedez dhe më i titulluar në Allsvenskan. Gjithsesi, presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj nuk e lë të lirë mbrojtësin nëse nuk arkëton vlerën e 500 mijë eurove, shifër e cila konsiderohet e lartë edhe nga Malmo.

Mbetet për tu parë se cila do të jetë përgjigjja e drejtuesve të klubit suedez, që nëse do të firmosin me Alitin, do të krijonin një dyshe shqiptarësh në prapavijë, pasi te Malmo aktivizohet edhe mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Egzon Binaku.



EMISIONET