Deputetja Rudina Hajdari deklaroi se deputetët e opozitës po shantazhohen për të votuar reformën zgjedhore.

Myslim Murrizi, që zëvendësoi Hajdarin si kryetar i grupit parlamentar Demokrat, pranon tentativat për trafikim votash por thotë se atë personalisht nuk ka shans ta shantazhojë dhe as ta blejë njeri.

Muslim Murrizi: Nuk ka bilbilush të këtyre ferrave poshtë tavolinës që mund ti bëjë presion Myslim Murrizit, merre nga të duash nga i pari i qeverisë. Të njëjtin qëndrim kam mbajtur edhe me Ambasadoren amerikane dhe Sorecën. Nuk kam çmim unë.Kush ka qejf të përdoret, të bëhet ndaç njëpërdorimësh, ndaç shumëpërdorimësh.

Në një intervistë për Rtv Ora, Murrizi nuk përjashton mundësinë që kryeministri Rama dhe opozita e bashkuar të mund të gjejnë ndër opozitarët e Kuvendit votat për kalimin e ligjit të ri zgjedhor.

Myslim Murrizi: Grupi parlamentar Demokrat që drejtoj unë ka 11 deputetë, 11 ka dhe grupi që drejtohet nga Stojku, 9 deputetë ka grupi i Musait. Janë 31. Unë kam deklaruar me sinqeritet që nuk jam as kapoja dhe as tutori i deputetëve të opozitës në Kuvend. Trafikimi në Kuvend nuk është risi e këtij mandati, me vota të trafikuara është zgjedhur një President në Shqipëri. 17 deputetë aty kanë ardhur nga LSI.Mbase kanë kujtuar që janë në koalicion me ta dhe kanë votuar ligjet e Ramës, ka vazhduar inercia, nuk e di.

Por Murrizi, shpresën nuk e ka humbur.

Myslim Murrizi: Shpresoj që të ndodhë ajo që mbi 85% e shqiptarëve e kërkojnë, hapja e listave që shqiptarët të zgjedhin dhe jo të votojnë.

Nga takimi i parë me kryeministrin Rama, tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës nuk gjetën dakordësinë për dy kërkesat e parashtruara prej tyre: Hapja e listave dhe depolitizimi i administratës zgjedhore.

Rama ka deklaruar se kërkon të përafrojnë qëndrimet por pa rishikuar marrëveshjen politike të 5 qershorit.

Ndërkohë deri tani nga radhët e opozitës kanë rrjedhur 2 vota dhe duhen edhe 4 të tjera  për ta kaluar ligjin e ri elektoral në Kuvend, pasi 78 i ka vetë mazhoranca.

Reformës zgjedhore i duhen 84 vota për miratim.

- Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana

/Ora News.tv/