Qeveria i kalon Bashkisë Tiranë truallin e Teatrit Kombëtar

Ndonëse periudhë pandemie qeveria ka gjetur kohën që t'i jap bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar për prishjen e godinës aktuale dhe ndërtimin e një godine të re. Ndaj këtij vendimi ka reaguar kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili e cilësoi atë si grabitje e pronës shqiptarëve dhe akt lufte ndaj artit dhe qytetarëve.

Pavarësisht protestave të vazhdueshme të komunitetit të artistëve dhe jo vetëm, mazhoranca e majtë nuk tërhiqet nga vendimi për të prishur godinën aktuale të Teatrit Kombëtar dhe për të ndërtuar aty një ndërtesë të re.

Qeveria ka miratuar së fundmi vendimin për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranës të truallit të Teatrit Kombëtar me sipërfaqe totale 5 522 metra katror.

Në vendimin e publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare qeveria përcakton se ai do të përdoret nga Bashkia e Tiranës me qëllim ndërtimin e një godine tjetër të Teatrit Kombëtar. Pra siç edhe sanksionohet në këtë vendimmarrje qeveria dhe bashkia e Tiranës nuk kanë hequr dorë nga prishja e godinës aktuale të teatrit kombëtar, e cila nga artistët dhe opinioni publik është vlerësuar për historinë që mbart.

Por ndryshe nga sa ishte parashikuar më parë, qeveria i ka hequr të drejtën bashkisë së Tiranës që këtë truall ta përdor për ndërtime kullash apo për t'ia dhënë në përdorim privatit.

kjo pasi në pikën dy të këtij vendimi përcaktohet se Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktua, ta tjetërsojë atë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.

Ndërkohë që lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha i cili e ka konsideruar atë si një grabitje e pronës së shqiptarëve.

"Ndërkohë që shqiptarët presin zgjidhje për krizën që ka pllakosur, Rama gjen kohë vetëm për të grabitur. Kalimi i TK në pronësi të kryebetonierit të mafias është akt lufte ndaj artit dhe qytetarisë dhe provokim ndaj BE dhe përfaqësuesve të saj në vigjilje të Ditës së Europës", shkroi Basha në rrjetet sociale.



EMISIONET