Publicisti dhe gazetari shqiptaro-amerikan, Frank Shkreli, ka promovuar librin “Demokracia nuk pret”. Vepra përmban artikuj të ndryshëm që Shkreli i ka shkruar në 10 vitet e fundit, ndërsa kreu i shtetit Ilir Meta, tha se libri i kujton politikës se detyra e saj kryesore është mbrojtja e demokracisë.

Gjatë viteve kur Shqipëria ishte nën tutelën e sistemit komunist, gazetari Frank Shkreli, punonte për Zërin e Amerikës.

Për shumë atdhetarë të tij, ai ishte zëri i shpresës, ishte media nga ku informoheshin në mënyrë të lirë për zhvillimet jashtë kufijve.

Nga ajo kohë kanë kaluar 28 vite dhe publicist i njohur Frank Shkreli ka vendosur të thotë disa të vërteta për shoqërinë dhe politikën, atë të djeshmen dhe të sotmen, përmes tri vëllimeve “Demokracia nuk pret”.

Libri u promovua me  prezencën e figurave të njohura të politikës dhe medias.

Presidenti, Ilir Meta,tha se kjo vepër duhet të shkundë politikën qe të angazhohet në mbrojtje të demokracisë.

Ilir Meta: Demokracinë nuk ta dhuron askush dhe demokracinë duhet ta fitosh dhe mund ta fitosh çdo ditë e më shumë, por edhe mund ta humbasësh çdo ditë e më shumë. Në këtë drejtim, vepra e zotit Shkreli është edhe një shkundje për të gjithë, për rëndësinë që ka demokracia. Ajo nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Demokracia duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar sipas standardeve më të avancuara dhe siç e meriton një komb si i yni, që ka vuajtur shumë nga mungesa e saj.


Kolegë të Shkrelit vlerësuan aftësitë profesionale të gazetarit si një identifikues i mprehtë i problemeve të shoqërisë shqiptare.



Besnik Mustafaj: Shohim një sy të mprehtë i cili përzgjedh përvojën më të mirë nga realiteti shqiptar.

Vetë Shkreli, shkrimet i cilësoi modeste ndërsa përcolli disa mesazhe për demokracinë.

Frank Shkreli: Duhet të jemi të sinqertë me veten dhe të tjerët se shqiptarët i ka penguar diçka që të zënë vendin e tyre ku u takon me kombet e tjera, se pranvera e demokracisë shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe anembanë trojeve shqiptare nuk ka çelë ende lulet që prisnim dikur dhe për të cilat presim gjithnjë. Prandaj kemi ruajtur titullin " Demokracia nuk pret" për të tre vëllimet.

Libri është përmbledhje e afro 25% të shkrimeve që Shkreli ka botuar 10 vitet e fundit në mediat shqiptare.

/Ora News.tv/