Presidenti Ilir Meta është pyetur sërish nga gazetarët në lidhje me dekretimin e Sandër Lleshit si Ministër të Brendshëm, duke qenë se sonte skadon afati.

 “Kemi kohë deri në darkë, kur të komunikoj me gazetarin Arjan Çani. Tani po shkoj në zyrë’, është shprehur presidenti Ilir Meta për gazetarët.

Herën e parë, presidenti Meta e hodhi poshtë propozimin e Edi Ramës për ministrin e Brendshëm, por kryeministri vendosi që të dërgojë sërish të njëjtin emër, pasi e emëroi dhe zv/ministër.

Pikërisht në datë 9 nëntor, kryeministri Edi Rama e çoi për të dytën herë emrin e gjeneralit në Presidencë si propozim për ministër të Brendshëm. Ai deklaroi se bashkëngjitur kërkesës do t’i dërgohet Presidentit edhe një relacion i detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm.

Nga ana tjetër Presidenti Meta i dërgoi një letër Ministrisë së Mbrojtjes më 9 nëntor ku nëpërmjet 14 pyetjeve i kërkonte informacion për Sandër Lleshin dhe statusin e tij në Forcat e Armatosura.

Në letrën e tij për ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka, Kreu i Shtetit thoshte se duke qenë se ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, emërimi Sandër Lleshit në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese pasi është ushtarak aktiv.

Por më 12 nëntor shefi i qeverisë i përgjigjej pyetjeve të Metës me një shkresë të gjeneral Sandër Lleshit për ta çdekretuar nga grada e tij, në mënyrë që të ishte brenda normave kushtetuese për Ministër të Brendshëm.

/Ora News.tv/