Edhe pse kanë kaluar 23 ditë nga shpallja e dekretit të Presidentit të Republikës Ilir Meta për përcaktimin e zgjedhjeve vendore në datën 13 tetor  ky vendim ende nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare. Sipas konstitucionalistit Sokol Hazizaj, dekreti i Kreut të Shtetit, si një akt i përgjithshëm normativ nuk ka nevojë që të publikohet në fletoren zyrtare që të hyjë në fuqi.

Por mos publikimi i dekretit të 13 tetorit nga ana e Qendres së Botimeve Zyrtare, është një veprim i pashpjegueshëm, në kushtet kur është detyrë e këtij organi ta botojë dekretin e kreut të shtetit.

Ndryshe nga dokumenti i 13 tetorit, në QBZ botoi brenda afatit në Fletoren zyrtare dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit i shpallur nga Presidenti i Republikës. Madje Ministrja e Drejtësisë u shpreh se ky është një procedurë e detyrueshme, por për datën e re të zgjedhjeve vendore në vjeshtë, QBZ nuk ka ndjekur të njëjtat standarde.

Ndërsa në lidhje me vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila ka shprehur moskompetencë  për të shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut socialist të zgjedhur nga votat e 30 qershorit Agim Kajmakut, Hazizaj thotë se në mungesë të Gjykatës së Lartë, në këtë bashki duhet të zhvillohen zgjedhje të reja.

/Ora News.tv/