Dekreti i qeverisë italiane, 25 miliardë euro për të ndihmuar ekonominë e vendit

Dekreti i qeverisë italiane, 25 miliardë euro për të

Qeveria italiane pritet të aprovoj sot dekretin "Shpëto ekonominë" me masa urgjente ekonomike me një fond mbi 20 miliardë euro në ndihmë të familjeve italiane, sipërmarrjeve, punonjësve publikë e privatë e sistemit shëndetësor.

Ekonomia italiane është në një moment të vështirë të saj, imponuar nga përhapja dramatike që ka marrë pandemia e koronavirusit që ka paralizuar gati çdo sektorë të saj.

Mbrojtja e shëndetit, e familjes, e punës dhe e bizneseve si dhe masa specifike për sektorë të ndryshëm të ekonomisë është objektivi i këtij dekreti të qeverisë që përmban 113 pika.

Për bizneset në sektorët më të goditur të ekonomisë si turizmi, transporti, edukimi, asistenca, sporti, arti, kultura parashikohet pezullimi i pagesës së taksave e sigurimeve shoqërore deri më 31 maj 2020 me mundësi shlyerje me këste e pa interes pas kësaj date.

Rreth 5 miliardë euro janë parashikuar për amortizatorë social në ndihmë të punonjësve publikë e privatë. Pezullohen këstet e kredive për ata që kanë blerë shtëpi për herë të parë e vihet në dispozicion një fond garancie për familjet në nevojë e për ata që kanë humbur vendin e punës.

Punonjësit e sektorit publik e privat që kanë vazhduar punën përgjatë muajit mars, shteti u jep një vlerësim monetar prej 100 euro e punonjësve autonom një kompensim prej 500 euro.

Një fond prej 50 milionë euro i vihet në dispozicion bizneseve për blerjen e maskave e të dorezave për garancinë e sigurisë shëndetësore të punonjësve.

1.15 miliardë euro do të financojnë nevojat e sektorit shëndetësor e 1.5 miliardë euro do të t'i jepet Fondit të Emergjencave Kombëtare pranë Entit të Mbrojtës Civile.

Mbledhja e qeverisë italiane për aprovimin e dekretit "shpëto ekonominë" pritet të nis në ora 10.00 të ditës së sotme 16 mars 2020.

EMISIONET