"Vi këtu pasi kam bërë një test të dyfishtë, nuk kam kontaktuar askënd dhe kam ruajtur distancën" . Shumë pak njerëz i kushtuan rëndësi kësaj deklarate të presidentit Meta me 12 mars ndërsa doli nga  Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut pasi kishte dhënë gjak për fëmijët talasemikë. Por sot ai ka sqaruar gjithçka. Presidenti Ilir Meta është shprehur se ka kryer testin për koronavirusin. Sipas tij, ai kishte bërë testin pasi ishte informuar se kishte qenë në një palestër me një tjetër person, i cili më pas kishte rezultuar me koronavirus.

Ilir Meta: Unë vetë kam bërë testin, për arsye se mora një informacion që kisha qenë në një palestër, ku kishte rezultuar dikush, një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kisha dhënë dorën, kishte qëlluar rastësisht. Unë u informova që kishte rezultuar me koronavirus dhe atëherë ishte detyra ime, jo thjeshtë për të mbrojtur veten time, por edhe bashkëpunëtorët apo për të verifikuar nëse unë kisha patur një virus të tillë. Ndërkohë që unë i kisha dhënë dorën më parë dhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje.

Duhet të shprehim mirëkuptimin dhe solidaritetin tonë me të gjithë ata që janë të prekur. Askush nuk duhet të hezitojë, sepse ndoshta ndonjëherë dhe ndjesia jo e këndshme që mund të identifikohesh në publik si bartës i këtij virusi mund t’i çojë njerëzit te frenimi për të bërë testin, për ta pranuar këtë gjë dhe për ta kaluar atë, dhe kjo mund të çojë në pasoja të tjera. Që nga humbja e jetës apo përkeqësimi i shëndetit dhe komplikacionet e ndryshme, që mund ta shoqërojnë për shkak të problemeve të tjera shëndetësore që mund të ketë kushdo. Por, edhe deri te rrezikimi i jetës së familjarëve, të gjyshërve, të fëmijëve dhe njerëzve tanë më të dashur.

Më tej, Presidenti deklaroi se nuk kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.

Ilir Meta: Po, ishte kontroll i dyfishtë sepse, theksoj edhe njëherë secili nga ne nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por duhet të mendojë dhe për të gjithë te tjerët duhet të jemi shumë të vëmendshëm në të gjithë këtë histori.

Padyshim për gjyshërit tanë, për prindërit tanë, që mund të jenë më të rrezikuar edhe për shkak të moshës dhe për shkak të komplikacioneve, sepse kjo është edhe stinë virozash në tërësi, por edhe për fëmijët dhe për të rinjtë se po dalin statistikat të reja që tregojnë se edhe ata janë të kërcënueshëm dhe të rrezikuar.

Këto deklarata i bëri në një intervistë për News 24.

/Ora News.tv/