Takimi i Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë nuk është anuluar por shtyrë për një datë të re. Sipas kryeministrit Avdullah Hoti ajo do të komunikohet nga mikpritësit e tij. Pas kthimit nga Brukseli, Hoti, tha se mori mbështetje për liberalizimin e vizave. Në lidhje me aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit kërkoi që të tregohet maturi dhe për të respektuar detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare.

Data e re e takimit në Uashington të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë do të njoftohet së shpejti. 

Kryeministri Avdullah Hoti, duke folur për gazetarët pas kthimit nga Brukseli ku zhvilloi takimin e parë jashtë vendit, tha se mbetet në komunikim të vazhdueshëm me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump, ambasadorin Richard Grenell.

Kryeministri Hoti, tha se në dialogun me Serbinë nuk do të bisedohet për integritetin territorial dhe se përmbyllja e procesit, është në interes të Kosovës.

 “Për dialogun, pavarësisht ndryshimeve mbesim të përkushtuar për dialogun sepse dialogu nuk ka alternativë. Këtë e kemi treguar në Bruksel. Është në interesin tonë që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë. E kemi shtyrë vizitën në Washington, pas diskutimeve me Grenellin jemi dakorduar për një datë tjetër së shpejti. Agjenda mbetet e njëjtë që t’i jepet shtysë dialogut përmes një agjende ekonomike. Tani janë duke u bërë angazhimet për samitin e Parisit. Jemi të nderuar që kemi një fokus kaq të madh të presidentit francez dhe kancelares gjermane”, tha Hoti,

Shefi i ekzekutivit tha se në Bruksel mori mbështetje për liberalizimin e vizave.

“Në Bruksel janë biseduar për shumë çështje dhe më vitale siç janë liberalizimi i vizave, ku kam parë një gatishmëri nga ana e zyrtarëve në Bruksel. Kjo çështje besoj se do të pranohet nga të gjithë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe është obligim i joni që ti mbajmë këto obligime. Shpresoj edhe në ato vende që kanë qenë skeptike që të reflektojnë. Siç e keni parë një grup deputetësh i kanë shkruar kancelares Merkel për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe ne do të punojmë me të gjitha vendet e botës për tu përmbajtur kushteve për këtë çështje”, tha Hoti para gazetarëve.

Në lidhje me aktakuzën për krime lufte të prokurorit special ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kreut të Parlamentit Kadri Veseli, Hoti tha se lufta çlirimtare është arritja më e madhe për pavarësi. 

Por kërkoi që të tregohet maturi dhe respektohen detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare.


/Ora News.tv/