Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm (8 korrik) në zonën e Kamzës në Tiranë, ku një vajzë 7 vjeçare dhe një burrë gjetën vdekjen e menjëhershme ndërsa mbetën të plagosur nëna e vajzës dhe motra e saj 6 vjeçare.

Sot, në media janë publikuar pamjet e aksidentit dramatik, ku një mjet drejtuar nga një 38 vjeçare doli në korsinë e kundërt të rrugës duke shtypur vajzën e vogël dhe çiklistin.

Si ndodhi aksidenti

Në orën 08: 40 në Kodër Kamzë, tek shinat e trenit, shtetasja Rozina Koleci, 38 vjeçe që drejtonte makinën me targë AA071UA, fillimisht përplasi për vdekje shtetasin Ramazan Ishni, i cili ishte duke drejtuar bicikletën ne momentin e aksidentit.

Më pas ka përplasur edhe nënën, Valbona Ndreu, 29 vjeçe me dy vajzat e saj që po kalonin në anën tjetër të rrugës. Makina është përplasur më pas dhe me një furgon të bardhë.

E mitura me iniciale E.N, 7 vjeçe nuk mundi t`i mbijetojë plagëve të marra dhe humbi jetën në vendngjarje ndërsa e ëma, Valbona Ndreu dhe vajza tjetër e saj me iniciale E.N 6 vjeç u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës.

Pas ekzaminimeve dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, mjekët nuk e vlerësojnë kritke gjendjen e tyre shëndetësore.

Ngatërroi frenat me gazin, zbardhen shkaqet e aksidentit tragjik në Tiranë

/Ora News.tv/