Covid-19, testohet epiqendra kineze

Covid-19, testohet epiqendra kineze

Frika se infeksioni vazhdon të qarkullojë pa u diktuar mes banorëve ka shtyrë autoritetet e Uhanit në Kinë të testojnë çdo banor të qytetit me apo pa simptoma të virusit.

Qyteti kinez i Uhanit, dikur epiqendra e pandemisë globale, synon të testojë të 11 milionë banorët e vet për koronavirusin brenda një periudhe 10-ditore.

Autoritetet thanë se për të zbatuar planin për rihapjen e bizneseve dhe të shkollave, duhet të dinë me siguri sa persona nuk shfaqin simptoma klinike të virusit, edhe pse mund të jenë bartës të tij.

3 milionë banorë janë analizuar për prezencën e patogjenit që nga muaji prill, ndërsa prioritet tani do të jenë zonat e patestuara më parë, personat që jetojnë në godina shumë të populluara po ku më herët janë konfirmuar raste me kovid.

Uhani i frikësohet një vale të dytë pandemike pasi çdo ditë po raporton infeksione të reja për herë të parë që pas daljes nga gjendja e izolimit të aplikuar nga 23 janari deri më datën 8 prill.

"Mendoj se testimet janë të nevojshme, sepse ka mundësi që epidemia të përsëritet. Ato po mbulohen nga shteti, nuk paguajmë gjë nga xhepi."

"Sigurisht që jam pak e shqetësuar, e frikësuar se mund të ketë infeksione të reja. Mendoj se depistimi me acid nukleik nga ana e qeverisë është i nevojshëm dhe i duhuri për shëndetin e njerëzve," shprehen dy qytetarë.

Nga afro 83 mijë personat e konfirmuar me Covid-19 në Kinë, më shumë se 50 mijë janë banorë të Uhanit por ky bilanc nuk përfshin asimptomatikët.

Të premten, autoritetet kineze raportuan 4 raste të reja në të gjithë vendin, të gjitha në provincën kufitare të Xhilinit afër Koresë së Veriut.

Numri total i viktimave ka arritur mbi 4,600 ndërsa 91 qytetarë po marrin trajtim spitalor.

EMISIONET