Një pjesë e kryeqytetit të Kinës është izoluar sërish pas shpërthimit të rasteve të reja me koronavirusit. Pjesa më e madhe e rasteve lidhen me një treg shumice dhe zyrtarët fajësuan importimin e salmonit nga Norvegjia. Raste të reja u regjistruan gjatë fundjavës në zonën metropolitane të Seulit në Korenë e Jugut, pas hapjes së lokaleve të natës.  

Kina njoftoi të dielën numrin më të madh të rasteve të të infektuarve me Covid-19 në 24 orë gjatë dy muajve të fundit, ndërsa një treg shumice që furnizon rreth 80 për qind të perimeve dhe mishit për Pekinin u mbyll, pasi shumica e të infektuarve të rinj janë të lidhur me të.

Të dielën autoritetet njoftuan për 57 raste të reja, 36 prej të cilave në Pekin.

Tregu Xinfadi në juglindje të Pekinit u mbyll të shtunën dhe e gjithë zona përreth u vendos në izolim të plotë pasi mbi 50 vetë në kryeqytetin kinez testuan pozitivë me koronavirusin e ri.

Kina, ku pandemia filloi në dhjetor, kishte hequr pjesën më të madhe të kontrolleve, ndërsa Partia Komuniste në pushtet shpalli fitoren ndaj sëmundjes në mars.

Autoritetet bllokuan 11 njësi banimi pranë tregut Xinfadi, ndërsa policia instaloi një gardh të madh dhe mbylli rrugët që të çojnë drejt një blloku banimi pranë tregut.

Në qytetet e mëdha, kinezët e kanë zakon të dynden në tregjet e shumicës për shkak të çmimit më të ulët të perimeve dhe mishit. Me shpejtësi media e lidhi shpërthimin e ri të virusit me importimin e salmonit nga Norvegjia, ndërkohë Pekini zyrtar vazhdon të jetë i akuzuari kryesor për fshehjen e vazhdueshme të bilancit të të sëmurëve.

Në zhvillime të tjera në rajonin e Azisë-Paqësorit: Në Korenë e Jugut u konfirmuan 34 raste të tjera me koronavirusin e ri, kryesisht në zonën metropolitane me popullsi të dendur të Seulit. Qendra koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se rastet e reja lidhen me lokalet e jetës së natës, shërbimet fetare dhe një treg pajisjesh elektronike.

Në fund të shkurtit dhe fillimit të marsit, Koreja e Jugut po raportonte qindra raste të reja çdo ditë përpara se gjendja të përmirësohej në mënyrë të konsiderueshme pasi një fushate agresive gjurmimi të kontakteve. Tani po provohet të jetë më sfiduese pasi autoritetet lehtësuan rregullat e distancimit fizik. 

/Ora News.tv/