Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit rom. Në një status në Facebook, kreu i shtetit kërkon që në këto ditë të vështirë për shkak të koronavirusit, autoritetet duhet ti kushtojnë më shumë vëmendje këtij komuniteti.

Ilir Meta: Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Romëve, këtij komuniteti të dashur, që sot kremton për traditat e pasura kulturore, trashëgiminë e larmishme, historinë e veçantë dhe gjuhën aq melodioze.

Shoqëria jonë ndonëse ndihet krenare për promovimin e tolerancës, gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe respektit ndaj komuniteteve dhe minoriteteve, ende përballet me sfidën dhe nevojën e domosdoshme për mirëintegrimin dhe përshirjen sociale të romëve, të cilët për fat të keq në shumë raste ende diskriminohen, u mungojnë kushtet miniminale të jetesës, punësimi, kujdesi arsimor e shëndetësor.

Arsimimi i fëmijëve Rom është një element thelbësor për të bërë të mundur përfshirjen e tyre sociale dhe përparimin në jetë.

Veçanërisht në këto momente të vështira për shkak të pandemisë COVID-19, një vëmendje e posaçme duhet treguar edhe ndaj këtij komuniteti, për shkak edhe të kushteve tepër të vështira, në të cilat ndodhen shumë përfaqësues të saj.

/Ora News.tv/