Shefi i stafit të presidentit të Kosovës, dhe ish-ministri për Integrimin Europian, Bekim Çollaku ka reaguar lidhur me mundësinë e caktimit të të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, që sipas raportimeve do të jetë nga Sllovakia,  shtet ky i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Çollaku përmes një postimi në Twitter ka thënë se roli i suksesshëm i BE-së në dialogun për normalizim varet nga kredibiliteti që BE-ja e ka në Kosovë.

Ai nënvizoi faktin se mos liberalizimi i vizave për Kosovën, përkundrejt përmbushjes së kushteve bashkë me caktimin e të dërguarit special nga një shtet jo njohës janë formulë për dështim.

“Roli i suksesshëm i BE-së në dialogun për normalizim varet nga kredibiliteti që ka në Kosovë.  Mos liberalizimi i vizave përkundër përmbushjes së kushteve të padrejta dhe asimetrike, bashkë me caktimin e një të dërguari që vjen nga një shtet jo-njohës, janë përbërësit kryesorë të recetës për dështim”, ka shkruar Çollaku.

Nga Bashkimi Evropian është paralajmëruar caktimi i Miroslav Lajcak si i dërguar special i BE-së për dialogun Kosovë Serbi. Pas caktimit të Josep Borrell shef të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, caktimi i Lajcak për t’u marrë me dialogun me Serbinë, tashmë bën që dy figurat kryesore në këtë institucion për procesin e dialogut të jenë nga vende që nuk njohin Kosovën.



/Ora News.tv/