"Çmendet" kurba e Covid-19 në Shqipëri, si u 7-fishua numri i rasteve nga 1 deri në 11 qershor

"Çmendet" kurba e Covid-19 në Shqipëri, si u 7-fishua

Për të tretën ditë rresht, numri i të infektuarve në Shqipëri ka shënuar një numër shumë të lartë të infektuarish, me 44 të prekur vetëm ditën e sotme.

Qysh nga data 1 qershor që shënoi lehtësimin e masave, sot numri i të prekurve është 7-fishuar.

Konkretisht numri i të prekurve nga data 1 qershor deri në 11 qershor ka qenë si më poshtë:

1 qershor 6 të prekur, 2 qershor  21 të prekur, 3 qershor 20 të prekur, 4 qershor 13 të prekur, 5 qershor 15 të prekur, 6 qershor 20 të prekur, 7 qershor 14 të prekur, 8 qershor 17 të prekur, 9 qershor 36 të prekur, 10 qershor 42 të prekur, 11 qershor 44 të prekur.

Ndërkohë, vetëm në këto 3 ditë të fundit numri total i të prekurve ka kapur shifrën 122.

Këtyre shifrave shqetësuese i shtohen edhe shtrimet në spital që janë rritur, ku vijojnë shtrimet në spitalin Infektiv, kryesisht nga Tirana.

Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive.

Po ashtu, pas disa ditësh pa viktima, sot është shënuar një i vdekur nga Covid-19 duke e çuar numrin total në 35.

Përpos këtyre 35 viktimave, në Shqipëri kanë humbur jetën edhe 5 persona të tjerë të infektuar me Covid-19, të cilët autoritetet shqiptare nuk i klasifikojnë si zyrtarisht viktima të Covid-19, pasi mendojnë se vdekja e tyre ka ardhur nga shkaqe të tjera.

Reagimi i Manasterliu - Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka takuar ditën e sotme shefat e shërbimit në QSUT duke pohuar se:

“Lufta me Covid-19 nuk ka përfunduar dhe po kalohet një fazë tejet delikate dhe të rëndësishme në përpjekjen e përbashkët për të frenuar përhapjen e virusit. Në këtë fazë, zbatimi rigoroz i protokolleve dhe mjeteve të mbrojtjes personale në dispozicion për çdo punonjës të sistemit shëndetësor, si dhe vigjilenca në të gjitha nivelet e shërbimit, kanë rëndësi jetike.”

Ndërsa ditën e djeshme (10 qershor 2020), përmes një postimi në Facebook, ministrja Manastirliu tha se situata në të cilën ndodhemi është brenda pritshmërive.

Manastirliu: Në situatën ku ndodhemi sot, e cila ishte brenda pritshmërive tona kur planifikuam rihapjen, është e domosdoshme që gjithsecili të marrë përgjegjësitë e veta qytetare, me qëllim që të ruajë veten dhe të tjerët. Sistemi shëndetësor është në nivelin më të lartë të gatishmërisë dhe puna në terren nuk është ndalur për asnjë çast, për zbulimin e çdo rasti dhe kontakti, për të këputur zinxhirin e infeksionit.

Po ashtu Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini, tha për RTV Ora para dy ditësh (9 qershor 2020) se shkaqet e rritjes së numrit të të infektuarve i gjen tek ulja e vigjilencës.

Tomini: Jemi në fazën e tretë të kësaj strategjie. Distancimi fizik nuk është respektuar. Është një humbje vigjilence jo vetëm te popullata por edhe te personeli shëndetësor. Mbajtja e maskës dhe dorezave si dhe higjienës personale duhet të ishte respektuar maksimalisht, duhet të kthehet në nivelet si në javët e para të epidemisë.

Kujtojmë se në 21 prill, kryeministri Rama u shpreh se nëse numri i të infektuarve rritet përtej pritshmërive, do të përdoren “frenat” e emergjencës për tu kthyer mbrapsht.

Edi Rama: Çdo rritje shpejtësie mund të na kushtojë shumë. Ashtu si tha kancelari i Austrisë duhet të jemi të vetëdijshëm se ekziston pas çdo hapi që të tërheqim frenat. Frenat e emergjencës siç tha ai dhe të kthehemi mbrapsht nëse numrat e të infektuarve do të rriten jashtë parashikimit të normales, që do të ndodhë.

Në një kohë kur pritet që të hapet sezoni turistik dhe plazhi për të gjithë qytetarët dhe kur ka filluar hapja e kufijve me disa shtete, vendi ynë përballet me një rritje të numrit të të infektuarve, rritje e cila nuk dihet nëse dot vazhdojë në ditët në vazhdim.

Dhe nëse vazhdon, cili do të jetë numri i të infektuarve në ditë, që del jashtë “pritshmërive”?

EMISIONET