Çipa: Aktakuza ndaj Thaçit është politike, krijimi i Gjykatës Speciale gabim i pafalshëm

Çipa: Aktakuza ndaj Thaçit është politike, krijimi i

Në deklaratën e tij për mediat mbrëmjen e sotme (29 qershor), presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se do të japë dorëheqjen nëse konfirmohen aktakuzat e ngritura ndaj tij për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit.

Të shumtë ishin ata që mendonin se Thaçi do të jepte dorëheqjen, ashtu sikurse bëri Ramush Haradinaj një vit më parë i cili dorëzoi postin e kryeministrit kur u thirr nga Gjykata e Hagës.

Në një intervistë për ''RTV Ora'', analisti Aleksandër Çipa tha të dyja rastet janë të ndryshme, pasi Haradinajt iu dërgua thirrja në mënyrë individuale, ndërsa Thaçit, Veselit dhe figurave të tjera iu dërgua në mënyrë krejt politike.

Aleksandër Çipa: ''Mendoj që janë dy kazuse kryekëput të ndryshme të pakrahasueshme nga rrethanat dhe në mënyrë të veçantë për nga kontekstet në të cilat u zhvilluan. Rasti i Haradinajt ishte shumë më ndryshe, sepse ishte një thirrje prej Gjykatës së Hagës në mënyrë më individuale, ndërsa në rastin e presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Veseli, dhe disa figurave të tjera, për 10 figura të njohura publike të Kosovës, mendoj që vetë mënyra se si shpërndau komunikatën e aktakuzës Prokurori Special është mënyrë politike. Krejt teksti i aktakuzës u publikua dy muaj me vonesë, ndonëse ishte firmosur më 24 prill, u publikua më 25 qershor, mbart një semantikë politike. Data që u zgjodh për publikimin  e kësaj aktakuze e ka një kontekst të fuqishëm politik.''

Sipas Çipës, krijimi i Gjykatës Speciale ishte një gabim i pafalshëm sepse rrezikon sovranitetin e Kosovës.

Aleksandër Çipa: ''Unë mendoj që së pari duhet të lexohet politikisht dhe më pas juridikisht akuza. E them këtë sepse i gjithë konteksti në të cilin u zhvillua publikimi i saj, shpërndarja dhe argumenti bazik, është një akuzë që u mbështoll me një veshje politike, të pastër, të dukshme. Gjykata jep gjithmonë një vendim juridik, por mendoj se do të kemi një proces politiko-juridik dhe më pas natyrisht një vendim juridik. Personalisht e kam konsideruar një gabim të pafalshëm krijimin e Gjykatës Speciale sepse rrezikonte sovranitetin e Kosovës.''

Intervistoi në studio Beti  Njuma, përgatiti për online Renato Çaushi.

EMISIONET