Cic-micet e kota të presidencës

Cic-micet e kota të presidencës

Është hera e tretë që Ilir Meta në veshjen e Presidentit të Republikës mpreh brirët me Edi Ramën.

I pari ishte posti i drejtorit të SHISH, kur dekretimi i tij u vonua më shumë sesa një vit për t’u firmosur. Në një republikë serioze kjo do ta vinte Presidentin në një pozicion të vështirë pasi nuk mund ta lësh vendin pa shefin e agjensisë kryesore të sigurisë.

Por meqënëse ky është shtet tallava, edhe Meta nuk përtoi të këndonte pjesën e tij të refrenit. Dhe askush nuk ia mori për keq.

Përplasja e dytë e tij me Ramën ishte ngurimi për dekretimin e Sandër Lleshaj si ministër i brendshëm.

Askush me pesë pare mend në kokë nuk mendonte se Meta kishte ndonjë informacion sensitiv për Lleshajn. I vetmi argument që do ta justifikonte në filozofinë e drejtimit ishte se Lleshaj kishte formim ushtarak dhe si i tillë mund të rrezikonte formimin civil që po përpiqen ti japin kësaj ministrie. Do të ishte një argument vërtetë bindës. Shumë veta prisnin përplasjen e cila do të ishte politike. Në fund e gjitha përfundoi në ca argumenta që askush nuk i mban mend dhe Meta u zbyth rishtas para Ramës.

Dhe tani është rasti Bushati. Me të drejtën kushtetuese që i jep posti i tij, Rama kërkon shkarkimin e ministrit të jashtëm.

Duke e njohur banalitetin e qeverisjeve shqiptare, as që bëhet fjalë që Bushati ka kundërshtuar Ramën për çështjen e Kosovës apo se marrëveshja me Greqine, ishte aq e suksesshme saqë shkëlqimi i saj do eklipsonte Ramën. E gjitha është në stilin e Ramës, që ai vend i duhej dhe e mori. Fakti se e zëvëndëson me një çilimi, është akoma më tepër argument se është një qokë a një tekë dhe aspak një qasje prej shtetari. Kjo tregon peshën që ka aparati diplomatik në sytë e Ramës, përfshirë Bushatin. Kështu kanë vepruar me këtë dikaster edhe në kohën  kur drejtonte Meta, ndaj tehollja që po i bën Meta si president shkarkimit të Bushatit, as ka të bëjë me qasje prej shtetari dhe as për punë standartesh, pasi as Meta Bushatin dhe as e anasjellta, nuk e honepsin njeri-tjetrin. Por Meta thjesht shfrytëzon rastin të bëjë Ramën të vuajë. Por e cila si herë e tretë, ngjan që as i prish gjumin e drekës Ramës.

Nëse ka gjë të vërtetë në marrëdhënien Rama-Meta, është moshonepsja që këta kanë ndaj njeri-tjetrit. Dhe nuk lënë rast pa e treguar. Për hir të vërtetës më shumë e tregon Meta, i cili aktualisht është në pozicion më pak të favorshëm. Ndërsa Rama duket se as i vë re këto sulme. Dhe në këtë disfatë të tretë të parashikueshme të Metës, është mirë që të veprojë brenda afateve ligjore për ç’dekretimin e ministrave.

Përndryshe perceptimi më dashamirës që mund të marrë, është se po lufton që Rama ti shtojë ndonjë tollon karburanti për makinat e presidencës./dritare.net

EMISIONET