Si për shumë çështje të tjera, Presidenti Ilir Meta nuk bie dakord me kryeministrin Rama as lidhur me çështjen e përfshirjes së ambasadorëve në politikat e brendshme, si në rastin e reformë zgjedhore.

Rama dje nga foltorja e Kuvendit tha se hyrjet-daljet nëpër Ambasada për të bërë përkthimin shqip-shqip nuk janë  asgjë tjetër veçse tregues i stadit adoleshent të politikës shqiptare në tërësi dhe të liderëve që nuk kanë kurajën që për gjëra, të cilat janë në interes të përbashkët.

Edi Rama: BE-ja, që për herë të parë në historinë e vet ndërhyn në një çështje ekskluzive të politikës së brendshme, që është zgjedhja e një sistemi dhe e një kodi zgjedhor që të gjitha vendet e kanë sipas vullnetit të parlamentit të tyre, kjo falë gjithë baltës dhe falë gjithë sherrit e rrëmujës që u stimulua me ngulm nga pala që s’mungon këtu sot, duke përdorur lidhjet e veta në Bundestagun gjerman, për të imponuar këtë axhendë. S’ka problem.Më vjen shumë keq, mua personalisht dhe besoj u vjen keq, edhe shumë njerëzve që në vitin 2020, politika shqiptare ka nevojë akoma për ambasadorë të huaj që të hyjnë në mes, që të shkojnë e të vijnë, që të bëjnë përkthyesin shqip-shqip në anglisht dhe që të lehtësojnë thjesht procesin e komunikimit. 

Kjo është një gjë që e vetme mjafton për të treguar stadin adoleshent të politikës shqiptare, në tërësi dhe të liderëve që nuk kanë kurajën që për gjëra, të cilat janë në interes të përbashkët. Le t’i lëmë gjërat në interes të përbashkët për vendin, që do të ishte gjëja më normale, por për gjëra që kanë interes të përbashkët partiak, për rregullat e lojës të mos ngrenë telefonin e të thonë, “gjithçka vazhdon si më parë midis nesh, por për këtë duhet të flasim”. Thjesht dhe vetëm kaq. 

Një fatkeqësi që tregon shumë fare. Nuk i kam kërkuar unë ambasadorët dhe nuk i kërkoj unë ambasadorët, por, duke qenë se të tjerët e kishin të pamundur që të uleshin shqiptar me shqiptar, për të bërë shkëmbimin e opinioneve të tyre, ishin të gatshëm të uleshin me 3 palë përkthyes shqip-shqip, ne e pranuam. Patjetër e pranuam, nuk diskutohet dhe unë u jam mirënjohës ambasadorëve që dalin nga roli i tyre, mandatet e tyre, puna e tyre dhe bëjnë arbitrin duke parë ping-pongun shqiptar. Ping-pong pa top, me dy pallaska që janë në formën që herë të kujtojnë raketën, herë dorezë e boksit. Kjo është e vërteta.

Një ditë pas kësaj deklarate, Kreu i Shtetit tha se roli pozitiv i ndërkombëtarëve është i mirëpritur duke shtuar se do ishte mirë që çdo ditë, çdo ambasador i vendeve të BE, të denonconte publikisht çdo shkelje të marrëveshjes së stabilizim asociimit.

Ilir Meta: Roli pozitiv i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është i mirëpritur gjithmonë. Dëgjova dje në parlament, një përfaqësues i mazhorancës tha se çfarë i duhet BE që merret me punën e zgjedhjeve në Shqipëri?!

Të gjithë ambasadorët e vendeve të BE kanë të drejtën e tyre legjitime të shprehen për çdo cënim të marrëveshjes së stabilizim-asociimit që është në fuqi prej një dekade mes Shqipërisë dhe BE. Është marrëveshje që detyron Shqipërinë, parlamentin, qeverinë, presidentin, të gjithë aktorët të respektojnë ato standarde që kemi rënë dakord me BE në mënyrë që të hedhim hapa të tjerë përpara siç është vullneti i të gjithë popullit shqiptar.

Do të ishte shumë mirë që çdo ditë, çdo ambasador i vendeve anëtare të BE sa herë që shikon një shkelje të marrëveshjes së stabilizim-asociimit ta denonconte atë publikisht. Kjo do të ishte rruga më e mirë sesa heshtja apo ndonjëherë deklarata që më shumë krijojnë konfuzion sesa qartësi mbi ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit europian. Të gjithë përpjekjet e tyre pozitive duhen vlerësuar, si të ambasadorit të BE, si të ambasadores së SHBA, si të ambasadorit europian dhe atlantik të Britanisë së Madhe.

/Ora News.tv/