"Kina ka marrë masat më të guxishme, më elastike dhe më proaktive në histori", thuhet në "Raportin e misionit të përbashkët Kinë-OBSh për COVID-19" që u publikua në ditën e fundit të shkurtit.

Ky është një përfundim i nxjerrë pas një inspektimi nëntëditor nga 25 ekspertë kinezë, gjermanë, japonezë, jugkoreanë, nigerianë, rusë, singporas, amerikanë dhe të OBSh-së.

Këshilltari i lartë i Sekretarit të Përgjithshëm të OBSh-së, dr. Bruce Aylward, ishte drejtuesi i palës ndërkombëtare i këtij grupi inspektimi. Sipas tij, si "mbyllja" e qytetit Wuhan, ashtu edhe gjetja e shpejtë e pacientëve, gjurmimi dhe izolimi i çdokujt që ka pasur kontakt të ngushtë me të infektuarit, janë pika referimi.

Dr. Aylward përmendi se gjatë vizitës së tij në provincën Sichuan, pa nga afër komunikimin në internet të ekspertëve mjekësorë me grupet e hetimit epidemiologjik në zonat e largëta. Ai vlerësoi edhe përpjekjet e palës kineze për shfrytëzimin e teknologjisë së lartë, si 5G, të dhënat masive dhe inteligjenca artificiale.

Deri tani, mbi 40 mijë punonjës mjekësorë nga mbarë vendi po ndihmojnë provincën Hubei. Ndërkohë, i gjithë populli kinez po përpiqet të garantojë furnizimin me materiale atje, duke bërë dhurime.

Nga ndërtimi i dy spitaleve me 2500 shtretër për afro 10 ditë në Wuhan deri në krijimin i rrjetit të reagimit të shpejtë të kontrollit të epidemisë deri në nivelin bazë, duke u bazuar në respektimin dhe mbrojtjen e jetës, fuqia e jashtëzakonshme e mobilizimit dhe e zbatimit dhe fryma kolektive altruiste, u kanë lënë ekspertëve mbresa të thella. "Sinqeriteti dhe sakrificat e popullit kinez i kanë prekur thellë të gjithë anëtarët e grupit të ekspertëve", kështu thotë raporti. Tani, frenimi i epidemisë po bëhet një ndër punët parësore të komunitetit ndërkombëtar.

Ditët e fundit, presidenti kinez Xi Jinping, gjatë bisedave telefonike ose takimeve me liderë të vendeve të tjera, ka theksuar gjithmonë se i përkasim së njëjtës bashkësi të fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe se pala kineze do të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit me vendet përkatëse për të përballuar epideminë, duke mbrojtur sigurinë publike rajonale dhe globale.

Kina po ndan informacionet dhe përvojat e veta, duke i ofruar ndihmë materiale mjekësore Japonisë, Koresë së Jugut, Iranit dhe vendeve të tjera të prekura nga epidemia.

Përhapja e virusit nuk njeh kufij. Prandaj, çdo vend duhet të jetë i gatshëm. Por nuk duhet të ketë panik. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së Tendros Adhanom Ghebreyesus, po të merren masa të drejta, epidemia do të frenohet. "Ky është një ndër informacionet kyçe që vijnë nga Kina".

/Marrë nga CRI/

/Ora News.tv/