Në forumin rajonal për barazinë gjinore të organizuar në Tiranë, koordinatorja kombëtare e rrjetit “Barazi në vendimarrje”, Edlira Çepani, ka kërkuar vëmendje ndaj çdo personi për ti siguruar të drejta të barabarta. Për këtë ajo e ka vënë theksin në rolin që duhet të ketë shoqëria civile.

Edlira Çepani: Vetëm duke shtyrë barazinë gjinore, zhvillimin e saj dhe integrimin gjinor në çdo politikë, nismë apo aktivitet që bëhet në vendin dhe rajonin tonë, ne do arrijmë që kemi kërkuar, për një Shqipëri më të mirë, për një rajon më të mirë sepse së bashku bëhemi një zë i fortë për ato çështje që vërtet kanë rëndësi për zhvillimin e Shqipërisë.

Pavarësisht krizës në Gjykatën Kushtetuese Presidenti Ilir Meta e ka konsideruar hap pozitiv faktin se në këtë institucion janë tre anëtare të reja.

Meta: Kam pasur kënaqësinë të bëj tre ceremoni betimi për anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese. Ajo që shqetëson është që ne nuk duhet ti shohim gratë si dekor. Sikur kjo nuk shkon. Kjo nuk është barazi gjinore. Kjo është secili ka gratë e veta për ti keqpërdorur.

Përfaqësuesi i UNWomen Albania solli në vëmendje shembullin e Parlamentit të Kosovës, i cili ka kaluar kuotën e përcaktuar për pjesëmarrjen e grave në jetën politike. Në forumin rajonal të barazisë gjinore të pranishëm ishin përfaqësues nga 7 vende të rajonit.

/Ora News.tv/