Yuri Kim “i përvishet” punës, takime me Cakajn dhe Xhaçkën

Menjëherë pas dorëzimit të letrave kredenciale në Presidencë, ambasadorja e re e SHBA-së ka nisur takimet me ministrat e qeverisë Rama. Në bisedë me ministrin e jashtëm dhe atë të mbrojtjes, Kim ka diskutuar për sfidat që ka Shqipëria në rrugët drejt integrimit në BE, por edhe për angazhimet si pjesë e NATO-s.

Një ditë pasi dorëzoi kredencialet në Presidencë, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka nisur takimet me politikanët shqiptarë.

Zyrtarja e lartë amerikane mëngjesin e së martës ka zvilluar një vizitë prej rreth prej 30 minutash në zyrën e Ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.

Kryediplomati në një postim në facebook, shprehet se gjatë takimit me Ambasadoren Kim u diskutuan sfidat e vendit tonë që lidhen me angazhimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e statusit të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

"SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë!”- përfundoi Cakaj postimin e tij.

Pas Cakajt, Yuri Kim është zhvendosur në zyrën e Ministres së Mbrojtjes. Për Olta Xhaçkën ky nuk është takimi i parë me Ambasadoren, pasi një vit më parë janë njohur në Pentagon ku ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

Ministrja e Mbrojtjes është optimiste që me angazhimin e Ambasadores së re, marrëdhënia mes dy vendeve do të fuqizohet.

Prioritetet e kësaj marrëdhënie dypalëshe janë modernizimi i FA-së, siguria dhe stabiliteti i Ballkanit.

Ambasadorja Yuri Kim pritet që në ditët në vazhdim të ketë edhe takime të tjera me përfaqësues politikë nga të dyja kampet.

Reforma në drejtësi dhe zgjidhja e krizës politike në vend kanë qenë gjithmonë pjesë e vëmendjes së diplomacisë amerikane.


EMISIONET