Bylykbashi: Paraja e paligjshme në tregun politik shqiptar është e jashtëzakonshme

Bylykbashi: Paraja e paligjshme në tregun politik shqiptar është

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë shprehur dakord për të reduktuar shpenzimet në fushatat zgjedhore por dhe në vitet kur nuk ka votime.

Deklarata është bërë në konferencën e posaçme të realizuar prej KQZ ku kryetari i këtij komisioni Klement Zguri e cilësoi të papranueshme mungesën e transparencës në financimin e partive 

Klement Zguri: "Nuk është gabim të thuash se cilësia e reformës së ardhshme zgjedhore, matësin e suksesit e ka tek transparenca financiare dhe e shpenzimeve të fushatës. Sa më shumë parti do të pranojnë transparencën dhe llogaridhënien publike si standarde të domosdoshme zgjedhore, aq më i madh do të jetë kontrolli i shoqërisë mbi ligjshmërinë e fushatave. Aq më i vogël do të jetë abuzimi dhe manipulimi i zgjedhësve.  Nga këndvështrimi i KQZ ritheksoj se detyra nuk është e papërballueshme, mjafton të lexojmë me kujdes rekomandimet. Duhet kuadër i ri rregullator, i qartë dhe i harmonizuar, transparencë paraprake e fondeve të fushatës nga partitë, bashkëpunim i plotë i partive me monitoruesit, metodologji moderne monitorimi dhe raportimi në kohë i gjetjeve. Publiku duhet të ketë akses të plotë tek informacioni për financimin përpara dhe pas datës së zgjedhjeve.

Zhvillimi i fushatave zgjedhore luksoze dhe mungesa e transparncës së financimit të partive politike, për një vend të vogël si Shqipëria është fenomen i papranueshëm pasi ushqen korrupsionin zgjedhor dhe politik. Cënon besimin e publikut tek zgjedhjet dhe demokracia. Kriminalizon procesin, deligjiton përfaqësimin dhe rrënon llogaridhënien politike."

Ndërkohë Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit të Reformës Zgjedhore deklaron se paraja e paligjshme sot e disponueshme në tregun politik shqiptar ka volum gjigand.

Oerd Bylykbashi: "Paraja e paligjshme që është sot e disponueshme në tregun politik shqiptar është e jashtëzakonshme, me një volum gjigand që tashmë ka ndikuar thelbësisht jo vetëm procesin e financimit të partive por dhe rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj na duhet të shohim jo vetëm kush janë nenet specifike të Kodit Zgjedhor  

Do  na duhet të rishohim me kujdes disopozitat penale apo në legjislacion tjetër për të patur një kuadër të integruar në mënyrë që paratë, jo vetëm ato publike, dhe çdo lloj financimi tjetër të jetë i verifikuar dhe të mos jetë financim që përdoret në proces politik për të blerë pushtet.

Cështje thelbësore në këtë aspekt janë: Sa të shëndosha janë burimet e financimit?

Duhet të reduktohen shpenzimet e partive politikë në periudhë zgjedhore dhe jo zgjedhore në mënyrë të atillë që të mos ketë nevojë për shpenzime të kota, apo të krijohen hapësira që në kuadër të shpenzimeve politike të ketë korrupsion në partitë politike. U ndërmorën hapa të rëndësishme para zgjedhjeve, që bënë reduktim të dukshëm të shpenzimeve, madje qenë veprime që më parë dukeshin tabu por funksionuan duke sjellë një përmisim të dukshëm por të pamjaftueshëm.

Financimi i partive në mënyrë absolute nuk mund të jetë për blerje vote. Por ne e dimë që ky është një fenomen shumë i rëndë në Shqipëri. Arrihet deri në shifra 20%  e zgjedhësve të prekur nga format e shitblerjes së votës. Sikur dhe gjysma e saj të jetë është shumë e rëndë. Duhet të bëjmë çmos të bëjmë një shkëputje sa më të qartë mes financimit të partive politike dhe cdo lloj paraje tjetër që qëndron rrotull dhe të forcojmë politikën penale."

EMISIONET