Britania rihap baret, muzetë, restorantet, floktoret e muzetë me masa të rrepta anti-kovid

Britania rihap baret, muzetë, restorantet, floktoret e muzetë me masa

Pas tre muajve karantinë, britanikët i janë rikthyer bar-restoranteve dhe floktoret kanë pritur klientët e tyre të parë në kohë pandemie. Ekspertët apelojnë megjithatë për kujdes nga të gjitha palët pasi rrezikohet një valë e dytë infeksioni.

Qeveria britanike ka lehtësuar ndjeshëm masat kufizuese antikovid, duke e lejuar ekonominë të rihapet pas izolimit të gjatë prej pandemisë.

E ashtuquajtura "super e shtuna" nisi këtë fundjavë me radhë të gjata qytetarësh para bareve, restoranteve dhe floktoreve që rinisën aktivitetin për herë të parë pas tre muajve karantinë.

Të rinjtë mundën të shijojnë orët e natës në lokale me miqtë e tyre, edhe pse nën masat e rrepta parandaluese për përhapjen e kovidit-19, që fillojnë nga ofrimi i dezinfektuesve dhe i maskave te instalimi i mureve ndarëse dhe pagesat vetëm me karta bankare pa kontakt fizik.

Në një nga pabet e Londrës, masat janë përkthyer edhe në uljen trefish të vendeve për klientët.

"Dezinfektantët për duart i kemi instaluar në hyrje, brenda barit dhe në tualete kudo kemi vendosur letra informuese. Vendi është pastruar fund e krye dhe kemi një numër të kufizuar personash që lejohet të hyjnë."

Edhe pse qeveria njoftoi këtë javë lehtësimin e kufizimeve, rreth 30 për qind e bareve dhe restoranteve zgjodhën të qëndrojnë mbyllur për shkak të pandemisë por edhe frikës se mund të mos i plotësojnë kushtet e distancimit fizik, duke rrezikuar penalitete.

Ekspertët e shëndetit publik sërish vijojnë të udhëzojnë qytetarët të tregojnë kujdes për të evituar një valë të dytë infeksioni, teksa vendi çdo javë regjistron mbi 20 mijë raste të reja dhe gati 1 mijë vdekje, kur shifra totale e jetëve të humbura ka kaluar shifrën 44 mijë.

Shumë teatro britanike planifikojnë rihapjen në fundin e korrikut, ndërsa muzeun kombëtar në Londër i riçeli dyert të shtunën njëkohësisht me shumë biznese të tjera private.

Stacionet e dezinfektimit, blerja e biletave nga interneti dhe shmangia e fluksit të vizitorëve janë disa nga risitë që po aplikohen në këtë sezon veror.

"Galeria Kombëtare qëndroi mbyllur për më shumë se 100 ditë, e para herë që qëndron kaq gjatë në 200 vitet e saj. Ne jemi një muze i financuar pjesërisht nga shteti ndaj kjo periudhë na ka prekur financiarisht por jemi vërtet të lumtur tani, për të realizuar atë për të cilën ekzistojmë, pra të lidhin pikturat me njerëzit."

Të shtunën selia e kryeministrisë britanike u mbulua në dritat blu me rastin e 72-vjetorit të formimit të sistemit shëndetësor vendës, ndërsa një qiri u vendos në kujtim të dhjetëra mijëra jetëve të humbura nga koronavirusi në këta tre muajt e fundit.

EMISIONET