"BOOM"- U dëmtua nga tërmeti, shkolla “Ramazan Jarani” hapi dyert pa u pajisur me akt-kontrolli

Emisioni investigativ "BOOM" në RTV Ora solli këtë të martë denoncimin e drejtorit të shkollës 9-vjeçare "Ramazan Jarani" në të cilën janë të regjistruar 602 nxënës.

Kjo godinë pësoi dëmtime nga tërmeti i datës 26 nëntor ndaj për këtë shkak, ky institucion arsimor u rrethua me shirit sigurie.

Emisioni “Boom” ka arritur të sigurojë pamje nga dëmtimet që janë shkaktuar.

Ky institucion është verifikuar nga pesë grupe inspektimi, por vetëm njëri prej tyre, që rezulton i pari, ka lënë një akt konstatimi.

Grupi i inspektimit konstatoi çarje në këndin e dy mureve mbajtës në korridor dhe se duhet të verifikohet më tej. Nga kontrolli vizual u konsatua që muret nuk ishin të lidhur në kënd.

Pas kësaj, drejtori i shkollës i drejtohet zyrtarisht Ndërmarrjes Nr .3 që shkolla të pajiset me akt-kontrolli për sigurinë pas tërmetit.

Kjo e fundit ndërhyri për të riparuar dëmtimet, pa e pajisur shkollën me dokumentacionin për sigurinë pas tërmetit.

Drejtori: Jam detyruar dhe kam kërkuar me shkrim pajisjen dhe certifikimin e shkollës me një akt sigurie dhe se si do vazhdojë deri më tutje. Një  akt sigurie, ende nuk ka ardhur në institucion. Na është thënë që me këto po merret Ministria e Arsimit dhe do t'i nxjerrë aktet e sigurisë në grup për çdo shkollë. Ditën e parë të fillimit të mësimit patëm shqetësime nga disa prindër dhe ne si staf i institucionit , pati edhe prindër që kërkuan aktin e sigurisë, pati nga ata që na besuan verbalisht në fjalët tona.

Dikush, qëndronte me të drejtë që "pse nuk ke diçka të shkruar? ".

Gazetari: Por, megjithatë nuk keni një kthim përgjigje për kërkesën që ju keni bërë.

Drejtori: Nuk kam një kthim përgjigje, nuk kam pse të them kam një kthim përgjigje. Verbalisht është shprehur nga Ndërmarrja 3 që shkolla ofron kushte sigurie dhe pa merak, të vazhdojë procesi.

Gazetari: E besueshme është letra dhe jo fjalët. Ju kujt i referoheni? A nuk do të ishte më mirë ta kishit aktin dhe pastaj të niste procesi mësimor?

Drejtori: Nuk po them që nuk do ishte mirë të ishte akti këtu në shkollë, por nuk kam se si të mos marr të mirëqenë një urdhëresë të MAS që nuk bën vaki që ajo urdhëresë të dalë pa u konsultuar tërë grupet e ekspertëve. Duke u bazuar në këtë, ndaj edhe filloi procesi mësimor. Shumë mirë të ishte edhe akti për të sqaruar prindërit që ja e kam me shkrim, rrini pa merak ,por kjo nuk do të thotë që prindërit nuk besuan te ne , pavarësisht se ka ndonjë element i cili është mosbesues edhe në këtë moment. Shkolla ka 602 nxënës. Riparimet janë bërë nga Ndërmarrja 3 javën që kaloi, para se të fillonte procesi mësimor.

Pas bisedës me drejtorin e shkollës, i cili tregoi se mësimi ka vijuar normalisht pavarësisht mungesës së aktit të konstatimit, stafi i "BOOM" shkoi në Njësisë nr. 4.

Përgjegjësi i sektorit shprehet se nuk është në dijeni të faktit se shkolla ka nisur procesin mësimor pa një verifikim me shkresë.

Gazetari: Shkolla "Ramazan Jarani" ka patur dëmtime si pasojë e tërmetit.

Përgjegjësi i sektorit: Po. Nga një akt konstatimi i disa inxhinierëve privatë me të bashkisë bashkë, po.

Gazetari: Çfarë inspektimesh janë bërë nga ana juaj?

Përgjegjësi i sektorit: Te shkolla, para dhjetë vitesh është bërë një shtesë nga kati i parë në katin e trëtë. E gjithë shtesa kishte dalje, thanë ata, nga struktura aktuale. Për çështje sigurie, kjo ishte gjëja e parë që ata panë, plus te hyrja në kat të tretë, një kolonë e rrumbullakët që lidhej lart, atyre nuk u pëlqeu. Njësia 4 nuk ka inxhinierë. Ka një urbanistë. Akt konstatimi i marrë nga Instituti, fletë formati bosh që mbushet. Kanë firmosur që të gjithë që ishin prezentë atë ditë. Shiritat i vë Policia Bashkiake.


Gazetari: Këtu thuhet se shkolla ka patur dëmtime dhe duheshin verifikime. Shkolla është hapur në datën 9. Këtë duam të sqarojmë ne.

Përgjegjësi i sektorit: Nuk e di këtë pjesë. Se kush ka proceduar më pas, nuk e di.

Drejtori i shkollës 9 vjeçare përpiloi një kërkesë zyrtare që ndërmarrja Nr.3 duhej të pajiste shkollën me një akt sigurie ndaj "BOOM" iu drejtua kësaj drejtorie.

Gazetari: A është kthyer një përgjigje dhe a është pajisur kjo shkollë me një akt sigurie?

Shefi i personelit: Unë e pashë shkresën, ka ardhur në datën 5. Fakti është që nuk jemi vetëm ne si drejtori që merremi me këtë. Jemi në bashkëpunim me të gjitha drejtoritë e tjera të bashkisë. Po presim që të gjitha drejtoritë në bashki, të mbarojnë aktin dhe kjo pastaj i përcillet në formë zyrtare Ministrisë së Arsimit.

Gazetari: Nëse këtë kërkesë, konkretisht e kishte bërë shkolla...

Shefi i personelit: Shkolla e ka bërë, por nuk është vetëm ajo sepse janë shumë shkolla që janë në listë pritjeje. Drejtoria jonë nuk e ka formën ligjore për t'i dhënë një zgjidhje asaj.

Gazetari: Shkolla ka filluar në datën 9, në momentin kur kërkohet një akt kontrolli, sigurie, mbas tërmetit, pse institucioni duhet të hapet kur ende kërkesa nuk është përpiluar? A nuk do të ishte mirë që të ezauroheshin të gjitha këto hapa dhe pastaj të hapej shkolla?

Shefi i personelit: Mua më thanë në vija të përgjithshme që është punuar bashkë me drejtoritë e tjera dhe do të dalim në një konkluzion përfundimtar dhe do t'ja përcjellim me shkresë zyrtare Ministisë së Arsimit.

Gazetari: Po vetë shkollës, nuk ishte e drejtë t'i kthehej një përgjigje?

Shefi i personelit: Mbase verbalisht me njëri-tjetrin mund të ketë folur, por me shkresë nuk ka shkuar ende. Sapo më thanë që i paskan dërguar një përgjigje Ministrisë së Arsimit. 

Në këtë akt, të cilin e disponon edhe "BOOM", thuhet se duhet të bëhen verifikime të mëtejshme.

Në shkollën "Ramazan Jarani" kanë shkuar pesë grupe për verifikimin e dëmeve por drejtoria nuk ka ende një akt sigurie.

Por absurditeti është se kjo drejtori teksa nuk i ka kthyer asnjë përgjigje, nuk përtoi që nëpërmjet punonjësve të saj të suvatojë pjesët e dëmtuara nga tërmeti.

EMISIONET