Kamera e emisionit BOOM ishte në familjen e Z. Misir Bleta, në fshatin Kërçukje të Njësisë Administrative Ndroq, banesa e të cilit ka pësuar dëmtime të mëdha, gjatë tërmetit të datës 26 nëntor.

Për shkak të këtyre dëmtimeve, familjarët janë detyruar të jetojnë jashtë banesës në një qendër sociale pranë Unazës së Re. Nusja e djalit zonja Merita, së bashku me tre fëmijët e mitur aktualisht ndodhet brenda kësaj qendre, e ndërsa vjehrri dhe vjehrra jetojnë pranë banesës në një çadër, pasi shprehen se janë të detyruar të qëndrojnë pranë banesës pasi nuk mund të braktisin bagëtitë dhe gjithë mobiliet e banesës.

Nusja e djalit, Merita Bleta: Na është shembur banesa, s'kemi ku të fusim kokën, tre kalamaj jashtë në të ftohtë. Na kanë dhënë një çadër e disa ushqime, por katastrofë, ujë s'kemi të lajmë fëmijët. Fëmijën tetë muajsh ku ta mbaj? Të voglin e kam pasur me temperature 40, djali tjetër ka thyer dorën,është për në spital,e kam djalin me azëm. Ata të komunës kanë thënë e pabanueshme, nuk fusim dot kokën brenda, kemi frikë se mos na zë kalamajtë. Unë jam strehuar këtu, bashkë me fëmijët, por vjehrri dhe vjehrra vazhdojnë të qëndrojnë në fshat në çadër.

BOOM shkoi në fshatin Kërçukje, për të takuar pjesëtarët e tjerë të familjes Bleta, por edhe për të dëgjuar nga afër se cilat janë kushtet në të cilat jetojnë, çifti Misir dhe Hamide Bleta.

Hamide Bleta: Ne jemi të trembur, kemi frikë të hyjmë në banesë. Në datën 21 shtator pati dëmtime banesa, por siç e shikoni tani u shemb komplet. Fëmijët janë strehuar në Tiranë, nusja me të tre fëmijët. Ne kemi shkuar në komunë na kanë thënë, nuk jemi ne ata që e verifikojmë, janë ekspertët ata që vendosin është e banueshme apo e pabanueshme. Na kanë ofruar një çadër, këtu nuk është për të ndenjur, rijmë nga e keqja, s'kemi ku të shkojmë.

Misir Bleta: Shumë frikë kemi përjetuar, duam një zgjidhje, nëse fëmijët i nxjerr jashtë qendra, ata do të vijnë të jetojnë me ne, bashkë me rrezikun! Kërkojmë ndihmë për një banesë për ata fëmijë, se puna jonë iku, u pa! Fëmijët më dhimbsen. Jemi të pa punë, djali ka emigruar në Serbi për punë, jetojmë me 73 mijë lekë të vjetra 7 familjar.

Kryetari Njësisë Administrative Ndroq, Xhavit Çeka tha se janë marrë të gjitha masat.

Xhavit Çeka: Pas marrjes së informacionit nga banorët, Njësia mori masat për verifikim dhe u plotësuan edhe dokumentet.

Gazetarja: Pra, për familjen Bleta janë bërë verifikimet? Është plotësuar dosja dhe është nisur apo jo?

Xhavit Çeka: Po! Është plotësuar dokumentacioni dhe i është nisur Emergjencave Civile.

Gazetarja: Nga tërmeti i pare a pati një përgjigje,ishin të banueshme apo jo këto banesa?

Xhavit Çeka: Hapi që është marr është paraqitja e dosjes pranë emergjencave. Masat nga Njësia dhe Bashkia Tiranë janë,  pajisja me çadra. Interesimi ka qenë i vet kryetarit të Këshillit Bashkiak, si dhe deputetit të zonës Z.Arben Pëllumbi, interesimi ka qenë i padiskutueshëm.

Gazetarja: Si do të veprohet me atë familje, pasi koha, stina e dimrit, nuk mund të jetohet aq gjatë në atë çadër?

Xhavit Çeka: Unë mendojë se zgjidhja do të ishte, nëse do të jetë e mundur ndërtimi i një objekti të përbashkët për të gjitha familjet e dëmtuara nga tërmeti në Njësinë Ndroq.


/Ora News.tv/