Emisioni ‘Boom’ solli ditën e sotme fakte dhe dëshmi në lidhje me shkeljet e rënda te sistemit te drejtësisë.

Zoti Enver Troka i jep 50 mije euro hua një shtetaseje, kjo e vërtetuar në bazë të kontratës së përpiluar dhe të firmosur përpara noterit.

Pasi kjo kontratë nuk respektohet qytetari e çon çështjen në Gjykatë ku fiton të drejtën për t’ju kthyer shuma e dhënë hua.

Enver Troka: Nuk më ktheu asnjë kokërr leku dhe kam e kam paditur, dhe apeli më ka dhënë të drejtë që të më kthehen paratë, por pavarësisht kësaj nuk më janë kthyer.

Pavarësisht këtij fakti, 4 vite më vonë prokurorja Elsa Kareçi Shpata akuzon zotin Troka se ka bëre kallëzim të rremë pasi shuma që ka dhenë hua nuk ka qenë 50 mijë euro, por 10 mijë euro.

‘Boom’ interesohet pranë gjykatës për të kërkuar audion e seancës të cituar nga prokurorja ku është bërë kjo dëshmi, por kjo seancë nuk ekziston.

Sekretarja e Gjyqtares së Çështjes: Është gabimisht. Po ti nuk ke marrë pjesë në seancë. Nuk ka seancë fare. Ajo është një datë para regjistrimit të dosjes. Po ta shikosh këtu data e regjistrimit të dosjes është 15.05.2019. Në këtë moment është regjistruar dosja. 25.01.2019 nuk ka si të jetë se është një datë para regjistrimit të dosjes. Edhe gjykata bën gabime në vendim.

Enver Troka: Ajo bëri gabim që më dënoi 6 muaj burg mua. Më dënoi me lekët e mia. Unë lekët i humba dhe të më dënojë 6 muaj burg. 

Prova kyçe e këtij procesi nuk u gjet, ndërsa gjykata ka vendosur që i moshuari të dënohet për kryerjen e veprës penale ‘Kallëzim i rremë’ me 3 muaj burg e konvertuar më pas me 6 muaj shërbim prove.

Ky mund të jetë një rast unik ku për të njëjtën çështje ka dy vendime.

Një vendim i formës së prerë që qytetarit t’i kthehet shuma 50 mijë euro dhe nga ana tjetër një prokurore që e dënon me burg për kallëzim të rremë.

Nëse do flasim në gjuhën e fakteve prokurorja nuk e ka marrë parasysh deklaratën noteriale të nënshkruar nga të dyja palët.

/Ora News.tv/