Bojkotimi i stërvitjes nga Vllaznia, Ademi: Buxheti është miratuar, këshilli bashkiak ka bllokuar pagesat

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka reaguar në lidhje me bojkotimin e stërvitjes nga ana e futbollistëve të Vllaznisë, pasi kanë 4 muaj pa marrë pagat.

Përmes një postimi në Facebook, Ademi shkruan se bashkia e ka miratuar buxhetin  e vitit 2020 për klubin e Vllanzisë, por këshilli bashkiak nuk e ka shqyrtuar duke bllokuar këtë proces.

Postimi i plotë

''Bashkia e Shkodrës ka miratuar Buxhetin për vitin 2020 për Klubin e Futbollit Vllaznia sh.a. që në dhjetor të vitit 2019.

Jemi në fund të muajit maj 2020 dhe këshilli bashkiak akoma nuk ka shqyrtuar dhe miratuar pasqyrat financiare të KF Vllaznia sh.a., duke bllokuar vijimësinë e pagesave që nga muaji shkurt dhe deri në këtë moment që jemi, 22 maj 2020.

Në muajin shkurt, ka patur një përpjekje nga ana juaj për zhbllokimin e situatës tek KF Vllaznia sh.a., por vetëm aq.

Në momentin që flasim, futbollistët, stafi tekniko- sportiv, trajnerët e Akademisë dhe punëtorët e terreneve sportive, nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre. E gjithë kjo, ka krijuar një situatë të rëndë që rrezikon të ketë impakt edhe në pjesën sportive, të rezultateve dhe objektivave për të gjitha ekipet e KF Vllaznia sh.a. në kompeticionet ku marrin pjesë.

Dua të vazhdoj të besoj që nuk ka ndonjë keqdashje në këtë zvarritje që po i bëhet zhbllokimit të financimit të punës së sportistëve dhe stafit të KF Vllaznia sh.a.

Në këto kushte, kërkoj nga ana juaj, me urgjencë dhe pa vonesa, shqyrtimin dhe miratimin e pasqyrave financiare, ne një mbledhje të thirrur nga Administratori i K.F.”Vllaznia”, për t’i hapur rrugën vijimin në normalitet të punës tek Klubi kuqeblu, i cili siç edhe klubet e tjera, kanë kaluar jo pak probleme edhe për shkak të pandemisë dhe Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore.

Siç jeni në dijeni, sezoni futbollistik rifillon me 3 qershor ndërsa ekipet kanë nisur stërvitjen.

Kësisoj, si Kryetare e Bashkisë Shkodër, duke përcjellë zërin e sportistëve dhe tifozerisë, kërkoj reagimin me përgjegjësi nga ana juaj.''



EMISIONET