Gazeta gjermane Bild: Kina të kompensojë dëmet për Covid-19

Gazeta gjermane Bild: Kina të kompensojë dëmet për Covid-19

Pas Amerikës, Francës dhe Australisë, edhe në Gjermani po kërkohet përgjegjësi ndaj Kinës në lidhje me pasojat vdekjeprurëse të pandemisë globale. Tabloidi "Bild" ka përpiluar një faturë rreth 150 miliardë dollarë që Pekini duhet t'ia kompensojë Berlinit.

Kina vazhdon të sulmohet për mënyrën se si e menaxhoi pandeminë që tani ka pushtuar botën, madje po shtohen aktorët kryesorë që kërkojnë nga Pekini të mbajë përgjegjësi për situatën.

E përditshmja më e lexuar e Europës, gazeta gjermane, "Bild", i preu në fundjavë Kinës një faturë me vlerë 149 miliardë euro si shumë që shteti aziatik i detyrohet Gjermanisë për dëmet në turizëm, në industrinë kinematografike dhe atë të aviacionit e në bizneset e vogla.

Këto dëme këtë vit pritet ta ulin me 4,2 për qind prodhimin e brendshëm të vendit.

Me një letër të hapur, gazeta iu drejtua presidentit të Kinës, Shi Xhinping, se ka inkurajuar mungesën e transparencës rreth sëmundjes vdekjeprurëse.

"Qeveria dhe shkencëtarët tuaj duhet ta dinin shumë kohë më parë se koronavirusi kishte fuqi të madhe infektimi, por bota u la në errësirë për këtë. Ekspertët tuaj më të mirë nuk iu përgjigjën kolegëve perëndimorë se ç'po ndodhte në Uhan. Ishin tepër krenarë dhe nacionalistë për të pranuar të vërtetën," theksoi kryeredaktori i gazetës "Bild".

Ndërkaq, zyrtarë të Pekinit i mohuan pretendimet duke e akuzuar medien gjermane si nxitëse të ksenofobisë.

Gjermania është një nga pesë shtetet me më shumë persona të prekur nga Covid-19 në botë, por akuzat jozyrtare që vijnë prej saj janë në vazhdën e atyre të Amerikës, Francës e Australisë që po ashtu kanë shprehur rezerva kundrejt Kinës për çështjen e transparencës mbi pandeminë.

Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë prej fillimit e ka vlerësuar kontributin e palës kineze.

"Çdo insinuatë se Kina nuk ka qenë transparente në parandalimin dhe kontrollin e pandemisë nuk përputhet me faktet, dhe as i nderon sakrificat e mëdha të popullit kinez në këtë ngjarje," reagoi të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

EMISIONET