Biblioteka Kombëtare te Garda, Persida Asllani: Zgjidhja e shumëpritur

Biblioteka Kombëtare te Garda, Persida Asllani: Zgjidhja e shumëpritur

Ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare pranë zonës ku sot ndodhet Garda e Republikës shihet pozitivisht  nga drejtoresha e këtij institucioni, Persida Asllani. Në një intervistë për RTV ORA, Asllani tha se godina e re është zgjidhja e duhur për të patur një bibliotekë bashkëkohore.

Zhvendosja e Bibliotekës Kombëtare, në territorin ku sot ndodhet Garda e Republikës shihet me optimizëm prej drejtoreshës së këtij institucioni. Për Televizionin ORA Persida Asllani shprehet se ndërtesa e re do të ofrojë ambientet e duhura për ruajtjen e botimeve dhe kushtet optimale për dashamirësit e librit apo studiuesit.

Persida Asllani: Zgjidhje të shumëpritur në funksion të një krize të gjatë dhe të shtrirë të hapësirave të bibliotekës, që do të thotë zgjidhja e duhur për ta çuar në standardet bashkëkohore. Do ta garantojë ruajtjen afatgjatë. Është hera e parë në historinë e Bibliotekës Kombëtare që mendohet ndërtimi i një ndërtese me destinacion konkret bibliotekë. 

Ndërtimi i godinës së re është premtuar të realizohet prej Kryetarit të Bashkisë së Tiranës në mandatin e dytë në drejtim të kryeqytetit. Në vitin 2017, godina e Bibliotekës Kombëtare u përfshi nga zjarri, ndërsa në reagimin zyrtar u bë me dije se u dogjën 3 rafte me libra të botuara pas vitit 2000. Në Qershor të vitit 2018, shirat e dendur sollën përmbytjen  e Bibliotekës, ngjarje që dëmtoi rreth 12 mijë libra.

EMISIONET