Kryebashkiakët demokratë të Devollit dhe Kavajës nuk ua lëshuan zyrat pasardhësve socialistë të 30 qershorit, madje për disa orë i mbrojtën me mbështetësit opozitarë.

Kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëroi se qëndresa do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në Tiranë.

Ndërsa kryebashkiaku i LSI-së në Kuçovë, bashkia e parë që i merret kësaj force politike, e lëshoi zyrën pa asnjë reagim.

Selfo Kapllani e kishte lënë derën hapur dhe Kreshnik Hajdari u betua para këshillit të ri pa asnjë kundërshtim.

Hajdari: Nuk do të jetë e lehtë. Jam i vetëdijshëm që pritshmëritë janë shumë të larta.

Nuk dihet nëse ky qëndrim i përfaqësuesve të LSI-së do të mbahet në të gjitha bashkitë e drejtuara prej tyre.

Situata ishte e qetë edhe në Kavajë një ditë ps përplasjeve.

Redjan Krali: Administrata është e gjitha në funksion, në shërbim të qytetarëve. Këtu kemi vazhduar normalisht si çdo ditë.

Pa kundërshtime socialistët morën edhe drejtimin e bashkisë Pustec nga maqedonasi Edmond Themelko. Ndërsa në Lushnjë, Krujë dhe Malësi të madhe konstituimi i këshillit të ri u kthye vetëm në procedurë pasi bashkitë ishin edhe më parë në duart e socialistëve.

Kryebashkiakët e rinj theksuan se ata do të jenë gjithmonë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Opozita nuk u bë pjesë e betimeve çka u ka dhënë socialistëve dhe aleatëve të saj të gjithë këshillin bashkiak.

Në ceremonitë simbolike ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë të PS-së.

/Ora News.tv/