Presidenti Ilir Meta ishte i pari që përkujtoi ditën kur shqiptarët lidhën besën për bashkim më 2 Marsin e vitit 1444, një akt frymëzues në kohë të vështira. Por Shqipëria sipas Presidentit sot kërcënohet nga një rrezik i ri, ndaj Ai thirri qytetarët për një beslidhje të re në atë që e quan "pranvera kuqezi".

Sot në përkujtim të ngjarjes historike të Besëlidhjes së Lezhës, unifikimit kombëtar përballë rrezikut të asimilimit e shkombëtarizimit, mesazhi që na sjell nga historia, uroj të na ndihmojë ne të gjithëve për reflektuar, për t’u ngritur dhe bashkuar sa nuk është vonë, në një Besëlidhje të re, po aq të fortë e gjithëpërfshirëse, përballë një rreziku të ri pushtimi nga një sekt mafioz, pa fe, pa familje, pa atdhe, që ka marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari! Zëri i popullit është zëri i Zotit! Erdhi koha të dëgjohet sa më fort!”, shrkuajti Presidenti.

Ceremonia zyrtare e përkujtimit të beslidhjes së princave u mbajt në Lezhë siç e do tradita. Ministri i Brendshëm si përfaqësues i mazhorancës prej aty nuk e kurseu një thumbim ndaj kreut të shtetit. “Jo sa herë kemi hall duhet të bëjmë besëlidhje të reja mbi parime të reja. Në fakt vlera jonë qëndron që ta ruajmë atë besëlidhjen e vjetër”, tha Lleshaj.

Historiani Pëllumb Xhufi në mesazhin e tij e kishte tek simbolika përbashkuese e 2 Marsit. “Modelin e shqiptarit, shtetarit që e shkriu jetën e tij duke mbrojtur vendin e tij”, tha Xhufi.  Ky 2 mars shënoi 576 vjetorin e besëlidhjes së princave shqiptarë në Lezhë nën drejtimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut!

 

/Ora News.tv/