BE jep pjesën e tretë të ndihmës për luftimin e Covid-19, Manastiliu: Të përgatitur për të papriturat

BE jep pjesën e tretë të ndihmës për luftimin e

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka dorëzuar ditën e sotme (18 qershor) pjesën e tretë të ndihmës së BE-së për Shqipërinë, në kuadër të mbështetjes për përballimit e situatës së shkaktuar nga COVID19.

E pranishme ishte edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila falënderoi vendet e Bashkimit Evropian për mbështetjen.

“Ne jemi duke punuar fort për të ndërtuar një plan dhe për të patur përgjigje sa më të mirë ndaj çdo të papriture që mund të na vijë nga Covid19, nga ky virus që të vetmen gjë që i njohim është paparishikueshmëria. Jemi duke fuqizuar në vazhdimësi kapacitetet tona testuese, kapacitetet tona në njësitë e terapisë intensive në spitale. Kemi rritur numrin e shtretërve në funksion të përballimit të rasteve që mund të shtohen, siç është spitali i ri me 100 shtretër kapacitet. Gjithashtu edhe një prej spitaleve në QSUT që është përshtatur për t’iu përgjigjur rasteve nëse do të kemi fluks të shtuar”, - tha Ministrja e Shëndetësisë.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca tha se Bashkimi Europian do të vijojë të jetë krah Shqipërisë jo vetëm në këtë situatë por edhe në aspiratën për të qenë pjesë e familjes evropiane.

“Është hera e tretë që ne bëhemi së bashku për të sjellë një pjesë tjetër të asaj ndihme që Bashkimi Evropian ka akorduar dhe po e bën realitet për Shqipërinë. Bëhet fjalë për 100 shtretër reanimacioni, po ashtu edhe pajisje të tjera që do të ndihmojnë në këtë luftë, përfshirë këtu edhe 30 elektrokardiograma. Më duhet t’ju them që këto janë disa nga pajisjet më të mira që ekzistojnë në treg dhe që janë blerë për t’u sjellë në Shqipëri, kjo për të ndihmuar Shqipërinë, sistemin shëndetësor por në veçanti ata që janë në vijën e parë, mjekët, infermierët sepse ne duhet ta vazhdojmë këtë luftë, kjo luftë nuk ka marrë fund ende”, - tha Soreca.

Para disa ditësh mbërritën në Shqipëri 5 autoambulanca që fuqizojnë flotën e urgjencës kombëtare, 15 respiratorë transporti, si dhe një seri aparaturash jetëshpëtuese që forcojnë kapacitetet e reanimacioneve ne spitalet tona, pjesë e ndihmës prej 4 milion euro të Bashkimit Europian për Shqipërinë për përballimin e COVID19.

EMISIONET