BE do shpërblejë me 2 mijë euro çdo emigrant që pranon të ikë nga Greqia

BE do shpërblejë me 2 mijë euro çdo emigrant që

Një nismë për kthimin e emigrantëve drejt atdheut kundrejt shpërblimit pritet të përmirësojë situatën me mbipopullimin në kampet e Greqisë.

Bashkimi Europian do të shpërblejë me 2 mijë euro çdo emigrant që zgjedh të largohet nga kampet e mbipopulluara në ishujt e Greqisë.

Skema e re që synon kthimin e personave në atdhe dhe lehtësimin e situatës në kampe do të zbatohet vetëm një muaj, për të mos stimuluar ardhjen e emigrantëve drejt Europës për arsye përfitimi.

"Refugjatët sigurisht që nuk do të kthehen, dhe nuk mundet, por skema mund t'u interesojë emigrantëve që janë shpërngulur për qëllime ekonomike dhe që e dinë se nuk i pret përgjigje pozitive për azilin," deklaroi komisionerja e BE-së për çështjet e brendshme.

BE-ja nuk ka informacion sa emigrantë ekonomikë dhe sa refugjatë qëndrojnë në kampet greke, por shpreson që ofertën për rikthim në vendet e origjinës do ta pranojnë të paktën 5 mijë veta.

Në kampet ishullore mësohet se strehohen mbi 36 mijë azilkërkues kur kapaciteti është 6 herë më i vogël.

Fondi do të sigurohet nga paketa 700 milionë euro që iu premtua Greqisë këtë muaj, pasi Turqia hapi kufijtë për mijëra emigrantë në territorin e vet.

Me kërkesë të qeverisë greke, të enjten kufiri grek u përforcua me qindra forca të agjencisë europiane të sigurimit të kufijve.

Efektivët e Fronteksit do të qëndrojnë në terren për disa muaj duke mbikëqyrur kalimet e paligjshme tokësore dhe detare mes dy fqinjëve.

EMISIONET