Lulzim Basha dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u përplasen me akuza në rrjetet sociale. Basha kërkoi  hetim urgjent dhe marrjen si të pandehur të zyrtarit socialist për bashkëpunim me krimin për të vjedhur vota. Por kreu i Bashkisë Durrësit, i cilësoi akuzat shpifje ndërsa paralajmëroi padi në gjykatë. Enkelejd Alibeaj në emër të Partisë Demokratike, tha se faktet që janë publikuar kundër Dakos janë vetëm maja e ajsbergut.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka kërkuar një hetim urgjent dhe të posaçëm për kryebashkiakun e  Durrësit, Vangjush Dako, ndërsa  ka bërë  thirrje që ai të merret i pandehur.

Në Facebook, Basha  paralajmëroi  prerë  Prokuroren e Përgjithshme dhe kreun e Krimeve të Rënda.

Lulzim Basha: Lënia e tij i lirë edhe pasi pranoi mbrëmë publikisht bashkëpunimin me bandat për të dhunuar zgjedhjet, është shkatërrim i demokracisë dhe vdekje e drejtësisë. Dua t’i kujtoj Donika Prelës dhe Arta Markut se dëmtimi i provave dhe manipulimi i hetimeve për krimet elektorale të Dakos, Ballës, Gjiknurit, Tahirit e të tjerë, është veprim i rëndë kriminal për të cilën ato do të mbajnë shpejt përgjegjësi deri më një. Kur prokuroria mbron krimin, ka rënë shteti.

Menjëherë pas akuzave të Lulzim Bashës, po në Facebook u përgjigj kryebashkiaku i Durrësit.

Vangjush Dako: Ty nuk të beson askush o toçi i Saliut që i hap telefonin vetëm kunatit. Kurse mua më besojnë se ju hap telefonin të gjithëve dhe s'i kam duart as me gjak, as me zhul eurosh si puna jote! Ti vazhdo dil e shpif përditë jo krimi, jo droga, jo leku jo byreku, se ka ardh koha t'i marr edhe ca lekë unë nga thesi që të mban kunati ty. Do shihemi në gjyq.

Por në emër të Partisë Demokratike, deputeti Enkelejd Alibeaj, paralajmëroi fakte të reja që sipas tij implikojnë Vangjush Dakon në blerje votash, ndërsa tha se Rama nuk do të mund ta shpëtoje dot.

Enkelejd Alibeaj: Edi Rama, kryeministri që qëndron në pushtet me të paktën 15 mandate të blerë nga krimi i organizuar, dhe Vangjush Dako, supermeni i blerjes së votave me krimin, do të bërtasin përsëri për shpifje. Por faktet janë në dosjen 339.  

Alibeaj tha se për qeverinë ka filluar numërimi mbrapsht.


/Ora News.tv/