Kryetari i Partisë Demorkatike Lulzim Basha zhvilloi ditën e sotme (1 korrik) një takim me drejtuesit e shoqatave të turizimit dhe hoteletisë në Facebook.

Përmes një postimi në Facebbok, Basha shkruan se turizimi është një nga sektorët e prekur më së shumti nga kriza ekonomike dhe pandemia, dhe se pjesa më e madhe e operatorëve turistikë po shkojnë drejt mbylljes.

Sipas Bashës, nuk ka patur strategji mbështetëse nga qeveria dhe situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë për shkak të mbylljes së kufijve për vendin tonë.

Basha apelon që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt pasi në të kundërt do të ketë efekt shkatërrimtar për 200 mijë qytetarë që e kanë të lidhur punën dhe mbijetesën për turizmin.

Postimi i Bashës në Facebook

''Problematikat e turizmit, si një nga sektorët e prekur më së shumti nga kriza ekonomike dhe pandemia, ishin temat qëndrore për të cilat bashkëbisedova me drejtuesit e shoqatave kryesore të turizmit dhe hotelerisë në Shqipëri.

Me natyrën e mrekullueshme dhe mundësitë për ta bërë turizmin shqiptar konkurrues në rajon, është e trishtueshme të dëgjosh se pjesa më e madhe e operatorëve turistikë që operojnë në Shqipëri po shkon drejt mbylljes.

Problemeve të përvitshme të taksave të larta apo mungesës së infrastrukturës, këtë vit i është shtuar dhe pandemia. Operatorët kryesorë turistikë shprehën shqetësimin për mbylljen e kufijve për Shqipërinë, çfarë ka bërë që të anullohen edhe prenotimet e bëra për muajin korrik.

Zero strategji mbështetëse për këtë sektor nga qeveria, zero strategji dalëse nga pandemia. Kjo e ka bërë situatën edhe më të rëndë dhe që po vazhdon të rëndohet çdo ditë.

Ndonëse u premtua shtyrja e tatim-fitimit, operatorët thanë se në sistem vazhdojnë edhe kamatë-vonesat.

Shtyrja e kredive nuk u zbatua por ato u ristrukturuan. Marrja e kredive u bë e pamundur për shumë biznese edhe pse sipas tyre kreditë nuk janë zgjidhje, pasi shumë prej tyre kanë dhe kredi të tjera të marrë më herët dhe që në mungesë të punës e kanë të pamundur për t'i shlyer.

Kjo situatë duhet të marrë fund sa me shpejt sepse ndryshe, do të ketë efekt shkatërrimtar për ekonominë dhe papunësinë e në veçanti për mbi 200 mijë qytetarë, që sot e kanë të lidhur punën dhe mbijetesën direkt me sektorin e turizmit.

Asnjë zgjidhje nuk ka vlerë nëse nuk hartohet në bashkëpunim me të zotët e punës. Ne nuk premtojmë mrekulli, por një qeverisje normale, që dëgjon, dialogon dhe bashkëpunon. Për zgjidhje dhe politika të hartuara, duke dëgjuar sipërmarrjen dhe punëmarrësit dhe jo duke dëgjuar e punuar për 5 oligarkë.

Me një plan të qartë, me prioritete të mbështetura nga politika fiskale, investime dhe fonde, ne do ta shndërrojmë turizmin në gjenerator të madh të zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

Ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 % dhe do të heqim "taksën Rama” për karburantin. Do të vendosim moratorium 1 vjeçar për të gjitha inspektoriatet dhe do të ndërtojmë një kuadër ligjor me standarte europiane, për një model europian inspektimi, me zyrtarë që i shërbejnë ligjit dhe jo që sillen si bandë gjobëvënësish.

Paratë që sot mbushin xhepat e oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me ta, do të shkojnë për investime dhe prioritete kombëtare që ndihmojnë ekonominë, punësimin dhe mirëqenien e të gjithë shqiptarëve.''


/Ora News.tv/